Search

Programi i Qeverisë 2021 – 2025: Prioritetet për sektorin e energjisë

11 Maj, 2021


E drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar programin qeverisës për vitet 2021 – 2025 dhe vendime tjera të përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 7 maj 2021.

‘Programi i Qeverisë pasqyron qasjen dhe parimet që do të ndiqen përgjatë qeverisjes, sikurse dhe prioritetet themelore dhe iniciativat që do të merren për të përmirësuar gjendjen në vend, në të gjitha fushat’, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Në konferencën për media pas miratimit të programit qeverisës, Kryeministri Kurti ka thënë se programi qeverisës i jep prioritet diversifikimit të burimeve të energjisë elektrike, efiçiencës energjetike dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike, me çmime të përballueshme të energjisë elektrike.

Kurti pas miratimit të programit qeverisës: Këto janë prioritetet e sektorit të energjisë

Lexo më shumë

Në dokumentin 57 faqësh, pak paragrafe i janë kushtuar energjisë elektrike në programin e qeverisë, njërit ndër sektorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Qeveria e përkushtuar për të krijuar kushtet për furnizim të qëndrueshëm me energji

Në paragrafet kushtuar energjisë elektrike, qeveria ka thënë se është përkushtuar për të krijuar kushtet për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm përmes teknologjisë, energjisë së pastër e të përballueshme.

 

Deva: Po zhvillohet strategjia e re e energjisë dhe ankandi për BRE-të

Lexo më shumë

‘Qeveria do të angazhohet për krijimin e kushteve të favorshme për furnizim të qëndrueshëm e të përballueshëm me energji per te gjithë qytetarët dhe ndërmarrjet e Kosovës, duke konsideruar edhe ndikimin në mjedis. Në këtë aspekt rol kyç do të luaj rritja e efiçencës së energjisë dhe rritja e shumëllojshmërisë së burimeve energjetike. Duke u bazuar në të dhëna, do të rishikojmë strategjinë e energjisë në funksion të harmonizimit me kërkesat energjetike ne vend, si dhe me përpjekjet për përmirësimin e ambientin në të cilin jetojmë’, thuhet në pjesën për energji në programin qeverisës.

Plani kombëtar për energji dhe klimë në harmoni të plotë me strategjinë e re të energjisë

Po ashtu, qeveria ka planifikuar hartimin e planit kombëtar për energji dhe klimë si dhe rishikimin e kornizës ligjore, për të harmonizuar të njejtën me strategjinë e re të energjisë elektrike, që gjithashtu duhet draftuar.

Malsiu: Plani i Kosovës për energji dhe klimë pranë përfundimit

Lexo më shumë

‘Po ashtu, do të hartojmë planit kombëtar për energji dhe klimë si dhe do të rishikojmë kornizën ligjore që do të bëhet në harmoni të plotë me strategjinë e re të energjisë’, thuhet në programin qeverisës.

Vazhdojnë investimet në qymyr: do të bëhet dekomisionimi i aseteve jo-funksionale të termocentralit Kosova A dhe zbatimi i masave ambientale në termocentralin Kosova B

Qeveria ka thënë se do të punojë në përmirësimin e menaxhimit të kapaciteteve ekzistuese energjetike, si bazë për siguri në furnizimin energjetik dhe rrugë e drejtë gjatë tranzicionit të dekarbonizimit energjetik.

Haxhiu: Duhet të përcaktohet roli i ‘Kosova A’, investimet e nevojshme kapitale nuk mund të mbulohen nga tarifat aktuale

Lexo më shumë

Ndërsa ka thënë se synon dekarbonizimin, Qeveria është përkushtuar në vazhdimin e investimeve në projekte energjetike të qymyrit.

Ndërsa nuk është thënë asgjë konkrete për të ardhmën e termocentralit ‘Kosova A’, qeveria ka thënë se është përkushtuar në dekomisionimin e aseteve jo-funksionale të Kosovës A dhe vazhdimin e zbatimit të masave ambientale në termocentralin Kosova B.

Plane për investime në gaz dhe efiçiencë të energjisë

Në programin e miratuar të qeverisë për vitet 2021 – 2025, e fundit ka thënë se do ti kushtoj rëndësi të veçantë shqyrtimit të fizibilitetit të të gjitha mundësive për zhvillimin e sistemit të gazit natyror, si dhe krijimit të tregut më konkurrues energjetik.

Përveç të lartëshënuarave, qeveria është përkushtuar edhe për zbatim të masave të efiçiencës, në bashkëpunim edhe me sektorin privat dhe amvisëritë.

Kosova dhe Shqipëria me më së paku investime në efiçiencë të ndërtesave në Ballkan

Lexo më shumë

‘Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet shqyrtimit të fizibilitetit të të gjitha mundësive për zhvillimin e sistemit të gazit natyror, si dhe krijimit të tregut sa më konkurrues energjetik. Nëpërmjet Fondit për Efiçiencë të Energjisë (EE), i cili do të jetë i qëndrueshëm financiarisht, do të zbatojmë masat e EE, me synim që skemat financiare të shtrihen edhe në mbështetjen e sektorit privat dhe amvisëri’, thuhet në programin qeverisës.

Qeveria është përkushtuar për menaxhim efektiv të ujërave: Do të vendosen rregulla për dhënien e së drejtës ujore

E ndërsa hidrocentralet në Kosovë po përballen me kundërshtime të shumta nga pjesëtarët e shoqërisë civile dhe komunitetet lokale, në programin e ri Qeveria e Republikës së Kosovës është përkushtuar të përmirësojë kornizën ligjore, duke përfshirë edhe rishikimin e ligjit për ujëra apo edhe hartimin e ligjit të ri.

‘Me qëllim të arritjes së objektivave themelore sa i përket menaxhimit të resurseve ujore, që janë, mbrojtja e ujërave, mbrojtja nga veprimet e dëmshme të ujërave dhe shfrytëzimi efiçient i ujërave, do të përmirësojmë kornizën ligjore të ujerave, ku hyn rishikimi i ligjit për ujëra apo hartimi i një ligji të ri, kompletimi i akteve nënligjore që kërkohen për zbatimin e ligjit, sidomos rreth koncesionit dhe hartimi i ligjit për financimin e menaxhimit të resurseve ujore’, thuhet në programin qeverisës.

Alarmante: Ajri i ndotur po vret rreth 500.000 foshnja në vit në mbarë botën

Lexo më shumë

‘Ndër të tjera, do të angazhohemi në mbrojtjen e resurseve ekzistuese ujore nga tej shfrytëzimi, eksploatimi, ndotjet industriale dhe do të vendosim rregullat në dhënien e së drejtës ujore, si dhe do të konsolidojmë institucionet për menaxhimin e ujërave ku përfshihet edhe Autoriteti i Rajonit të Pellgjeve Lumor’, është zotuar Qeveria në programin qeverisës.

Qeveria është zotuar për ligjin për ndyrshime klimatike, mbrojtjen e natyrës dhe për miratimin e strategjisë për mbrojtje të mjedisit

Qeveria do të angazhohet për mbrojtjen e natyrës nëpërmjet rishikimit të kornizës ligjore dhe kornizës strategjike, thuhet në programin qeverisës.

Në kuadër të aktiviteteve për rishikimin e kornizës ligjore, Qeveria është zotuar për të hartuar ligjin për mbrojtjen e natyrës, ndryshimet klimatike si dhe të hartojë strategjinë për mbrojtjen e mjedisit.

‘Po ashtu, do të punojmë në përgatitjen e kalendarit për përafrimin e legjislacionit me Acquis të BE-së dhe do të përgatisim inventarin për emetimin e gazrave serë’, thuhet në programin qeverisës.

Qeveria do të angazhohet për përmirësimin e ajrit dhe resurseve natyrore nëpërmjet kompletimit të kornizës ligjore dhe rishikimit të kornizës strategjike.

Cilat janë përkushtimet që rrjedhin nga Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor?

Lexo më shumë

‘Në kuadër të përmirësimit të kornizës strategjike do të miratojmë ligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe udhëzimin administrativ për rregullat dhe normat e shkarkimeve në ajër nga burimet e palëvizshme të ndotjes’, thuhet në programin qeverisës.

Qeveria ka premtuar edhe portalin kombëtar për cilësinë e ajrit dhe hulumtime shtesë për të identifikuar burimet e ndotjes së ajrit në gjithë territorin e vendit.

‘Po ashtu, do të plotësojmë kornizën strategjike me miratimin e Strategjisë për Zhvillim të Qëndrueshëm Mjedisor dhe planit të veprimit për cilësinë e ajrit. Për të adresuar ndotjen e ajrit në zona të caktuara, do të hartojmë masat e kontrollit të ajrit për Prishtinën, për zonat tjera të rëndësishme të anglomerateve dhe për zonat të ndjeshme’, thuhet në program.

Arben Kllokoqi paraljmëron: evitoni taksën e karbonit, mund të përfundojmë si treg i segmentuar

Lexo më shumë