Search

Malsiu: Plani i Kosovës për energji dhe klimë pranë përfundimit

01 Dhjetor, 2020


Drejtori i Departamentit të Mbrojtjes së Mjedisit dhe të Ujërave, Muhamet Malsiu, ka konfirmuar se plani kombëtar i Kosovës për energji dhe klimë është afër përfundimit.

Këto komente Malsiu i bëri në emisionin ‘Prime Time’ në kanalin televiziv Kanal 10 derisa po diskutoheshin aktivitetet në kuadër të ‘Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës’.

‘Plani për energji dhe klimë është afër përfundimit, dhe në vete përmban pesë grupe tematike të cilat sikurse gazrat serrë, burimet e ripërtërishme, për efiçienca e emergkosë, siguria energjetike, tregu i brendshëm i energjisë dhe grupi tematik për kërkim, inovacion dhe konkurrencë”, tha Malsiu.

Plani është duke u përgatitur me mbështetje nga GIZ-i dhe në bashkëpunim me këshilltarë ndërkombëtar dhe lokal të fushës.

Malsiu tha se përgatitjet kanë filluar qysh në vitin 2018, me themelimin e grupit punues nga atëherë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në bashkëpunim me Ministrinë e mJedisit dhe Planifikimit Mjedisor.

Ai shtoi se plani duhet të jetë në përputhje të plotë me kërkesat për mjedisin dhe klimën të BE-së.

“Sa i përket çështjeve klimatike, ne jemi duke punuar edhe ligjin për ndryshime klimatike dhe aktualisht e kemi të aprovuar strategjinë dhe planin e veprimit për ndryshime klimatike’, tha Malsiu në emisionin ‘Prime Time’.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut është i vetmi vend në rajon që ka përfunduar dhe dorëzuar Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë.

Sipas këtij plani, Maqedonia e Veriut ka përcaktuar vitin 2030 si afatin e fundit për largimin e plotë nga përdorimi i qymyrit.