Search

Arben Kllokoqi paraljmëron: evitoni taksën e karbonit, mund të përfundojmë si treg i segmentuar

02 Shtator, 2020


Arben Kllokoqi, ekspert i tregut të energjisë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, ishte i ftuar si panelist në diskutimin në kuadër të ngjarjes ‘Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës’, të bashkë-organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, GIZ dhe Balkan Green Foundation.

Teksa po bisedohej për prioritetet energjetike të Kosovës, Kllokoqi thekson se Kosova duhet evituar taksën e karbonit, takes kjo që do të jetë e detyrueshmë në të gjitha vendet e BE-së dhe palët tjera kontraktuese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, ku bën pjesë edhe Kosova.

‘Është vështirë të listojmë prioritet kyçe që shteti ynë duhet ti adresojë. Duke filluar ndoshta nga planet kombëtare integruese për ndryshime klimatike, duke u bazuar në udhëzuesit e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Ne si Sekretariat presim që palët kontraktuese, posaçërisht 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të dorëzojnë këto plane në sekretariat deri në përfundim të këti viti’, tha Kllokoqi.

Disa palë kontraktuese, sikurse Maqedonia e Veriut, janë pak më përpara se Kosova në këtë proces.

Duke iu referuar parafolësve, Kllokoqi kërkon nga vendet në Ballkanin Perëndimor të evitojnë për aq sa është e mundur taksën e karbonit, e cila detyron shtetet të paguajnë taksë për emetimet e karbonit nga prodhimi i energjisë elektrike dhe veprimtaritë tjera që lirojnë dioksidin e karbonit gjatë operimit.

‘Jasminka e ka përmendur më parë Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së. Ekziston një komponentë që është Taksa e Rregullimit të Kufirit të Karbonit. Si anëtarë të Komunitetit të Energjisë ose Palë Kontraktuese ju nuk doni të bëheni subjekt i taksës, ju duhet të përcaktoni synime ambicioze dhe propozime të shmangni këtë taksë karboni. Përndryshe, ju do të segmentoheni si një treg. Nuk po flasim vetëm për tregun e energjisë, por edhe për industri të tjera dhe kompani potenciale prodhuese që eksportojnë në BE’, tha Kllokoqi gjatë diskutimit.

Taksa e karbonit është një taksë e vendosur mbi përmbajtjen e karbonit në lëndët djegëse. Ajo aplikohet kryesisht në sektorin e transportit dhe energjisë.

Taksa është një formë e çmimit të karbonit të cilin subjekte të ndryshme që lirojnë karbon, duke përfshirë edhe shtetet, e paguajnë për cdo sasi të karbonit të liruar, me qëllim të minimizimit të ndikimit të karbonit në mjedis.