Search

Kosova dhe Shqipëria me më së paku investime në efiçiencë të ndërtesave në Ballkan

30 Shtator, 2020


Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sektori i ndërtesave është shpenzuesi më i madh i energjisë elektrike. Përafërsisht 43% e energjisë së prodhuar në rajon shfrytëzohet nga to.

Rreth 40% e energjisë së shpenzuar në ndërtesa mund të ruhet përmes renovimit të tyre, me qëllim të plotësimit të kërkesave minimale të performancës energjetike, thotë raporti i fundit i tranzicionit të energjisë i Sekretariatit të Traktatit të Energjisë në Vienë.

Përkundër investimeve të vazhdueshme në sektorin e efiçiencës energjetike në ndërtesa nga organizata të ndryshme donatore, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Malit të Zi, kanë shumë për të bërë për të bërë në plotësimin e kërkesave të performancës energjetike në ndërtesa.

Në rajon më së paku investime në efiçiencën e ndërtesave ka bërë Shqipëria, e cila ka investuar vetëm 54 milion euro në këtë sektor. Vendin e dytë me investime të ulëta e zë Kosova, me vetëm 83 milion euro investime.

Në rajon investimet më të mëdha në këtë sektor i ka bërë Serbia me 415 milion euro. Sipas përllogaritjeve në raportin e Sekretariatit të Energjisë, Serbisë i duhet të investojë edhe 1,2 miliardë euro për të mundësuar shfrytëzim efiçient të energjisë elektrike në ndërtesa.

Të dytin vend me më së shumti investime në efiçiencë të ndërtesave pas Serbisë e zë Bosnja dhe Hercegovina, e cila deri më tani ka investuar rreth 253 milion euro në këtë sektor, pasuar nga Maqedonia me 160 milion euro investime.