Search

Kurti pas miratimit të programit qeverisës: Këto janë prioritetet e sektorit të energjisë

07 Maj, 2021


Kryeministri Albin Kurti ka dalë në konferencë për media pas miratimit të programit qeverisës 2021-2024.

“Ne e kemi programin qeveritar tash dhe dy shtojca, ajo legjislative dhe ajo e planit strategjik. Në prill e kemi identifikuar gjendjen në fusha të ndryshme, shoqërinë tonë dhe nëpër ministri veç e veç. Janë dy prioritete urgjente që lidhen me pandeminë, shëndetin në kushte të pandemisë dhe ekonominë në pandemi. Prioritet është sigurimi i vaksinave”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se programi qeverisës i jep prioritet diversifikimit të burimeve të energjisë elektrike, efiçiencës energjetike dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike, me çmime të përballueshme të energjisë elektrike.

‘Deri në fund të mandatit do të zbatojmë diversifikimin e burimeve të energjisë dhe asetet strategjike do t’i mbështesim në mënyrë që ti bëjmë ndërmarrje fitimprurëse. Përveç diversifikimit të burimeve të energjisë, kemi vënë theksin edhe tek efiçienca e energjisë elektrike, siguria e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike dhe në të njejtën kohë që nuk duhet harruar, edhe me cmime të përballueshme, sepse në fund edhe për politikat tona industriale edhe për amvisërinë kryesore është kostoja që duhet të paguhet me rastin e konsumit të energjisë’, ka thënë Kurti.

Ndryshe, në konferencën për media pas miratimit të programit qeverisës Kurti ka paralajmëruar zhvillimin e ‘Strategjisë Kombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm’.

Ai ka konfirmuar se kjo strategji do të miratohet deri në fund të këtij viti.

“Me prioritet do të angazhohemi në Ëdo fushë për zhvillim gjithpërfshirës e të qëndrueshëm nëpërmjet asaj që e quajmë ‘strategjia kombëtare për zhvillim të qëndrueshëm’, e cila pritet të miratohet deri në fund të këtij viti dhe të përfshijë adresimin e sfidave në të gjithë sektorët e politikave publike”, ka thënë Kurti.