Search

Haxhiu: Duhet të përcaktohet roli i ‘Kosova A’, investimet e nevojshme kapitale nuk mund të mbulohen nga tarifat aktuale

11 Maj, 2021


Në edicionin e fundit të podkastit ‘Minutat Elektrikë’, Lorik Haxhiu, ekspert i çështjeve të energjisë me më shumë se 18 vite përvojë në menaxhimin, koordinimin dhe ndërlidhjen e programeve kryesore energjetike në Kosovë ka diskutuar rreth çështjeve të ndryshme të sektorit të energjisë në Kosovë, ndërsa ka sqaruar edhe gjendjen aktuale të aseteve gjeneruese të thëngjillit, TC ‘Kosova B’ dhe TC ‘Kosova A’.

Ndonëse Bashkimi Evropian është zhvendosur në mënyrë të hovshme drejt adoptimit të zotimeve për dekarbonizim, Kosova, sipas Haxhiut, nuk është vendi i vetëm, të paktën jo në rajon, që e mendon edhe zhvillimin e një termocentrali të ri nga thëngjilli.

“Edhe Kosova në një të ardhme të afërt shpresoj që ka me qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Dhe nëse ndërton një termocentral sot, atëherë ti pret që ka me operu së paku deri në 2050. Mirëpo, nëse mendon të bëhesh pjesë e BE, me ato zotimet për dekarbonizim, dalin disa konflikte strategjike të cilat duhen të vlerësohen me kujdes para se të merret vendimi për nisjen e një procesi të tillë pasi që vendi mundet të përfundojë në një pozicion të vështirë”.

Mungon studimi i fizibilitetit, mirëpo roli i ‘Kosova A’ duhet të përcaktohet

Tutje, Haxhiu bëri një analizë gjithëpërfshirëse të prodhimit konvencial të energjisë elektrike në Kosovë, duke shtjelluar gjendjen aktuale, nevojën për investime, si dhe paqartësinë rreth të ardhmes e një ndër shtyllave të gjenerimit elektrik në vend, ‘Kosova A’.

“Duhet të shohim ku jemi sot, prapë një pjesë e madhe vazhdon të mbështetet në ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’, për ‘Kosova B’ është bërë një studim fizibilitetit ku është vlerësuar që rreth 330 milion investime mundësojnë që ‘Kosova B’ të operojë deri në 2040, duke i përmbushur standardet mjedisore të emetimit’, sqaroi Haxhiu.

“Pastaj kemi ‘Kosova A’, jashtëzakonisht e vjetër, nuk ka studim fizibiliteti që jep përgjigje konkrete, por në fakt nuk ka as detyrë projektuese për studim fizibilitetit i cili do të parashtronte disa pyetje me rëndësi. Pyetja me rëndësi do të ishte, cili është roli i ‘Kosova A’?”, tha Haxhiu.

“Për ‘Kosova A’ mundem të vlerësoj që diku rreth 300 milion mund të kushtoj vetëm komponenta mjedisore, nëse flasim për rehabilitimin apo rekonstruimin e tri blloqeve 3,4,5. Pra një kosto e jashtëzakonisht e madhe vetëm për pjesën mjedisore, duke mos përmendur edhe pjesën e teknologjisë së gjenerimit”, tha ndër të tjera Haxhiu.

Haxhiu: “Kosova A” do të ketë një rol shumë të rëndësishëm së paku deri në 2028/2030

Për më tepër, Lorik Haxhiu argumentoj se ndërsa nuk shihet një zhvillim i hovshëm i burimeve të ripërtëritshme të energjisë, që do të zëvendësonin një sasi të konsiderueshme të prodhimit përgjegjës për të cilin është ‘Kosova A’, atëherë ky i fundit do të duhet të luaj një rol të rëndësishëm në të ardhmen energjetike.

“Në rrethanat aktuale besoj që ‘Kosova A’ ka një rol shumë të rëndësishëm, së paku deri në 2028-30, sepse nuk kemi zhvillim aq të hovshëm të burimeve të ripërtërishme të cilat do të zëvendësonin 30-40% të energjisë që prodhohet në vend nga ‘Kosova A”, tha Haxhiu

“Gjithashtu besoj që në periudhën afatgjate, së paku një apo dy blloqe duhet të mbahen si rezervë strategjike apo diçka të tillë, për shkak se në Kosovë kemi variabilitetit të konsumit, si gjatë ditës ashtu edhe gjatë stinëve”, theksoj Haxhiu.

Ai poashtu vuri theks se studimi i fizibilietit për TC ‘Kosova A’, i shoqëruar nga dokumente dhe projeksione tjera të rëndësishme, duhet t’i shërbejnë strategjisë energjetike në vend.

“Ky studim i fizibiletit duhet të jap shumë përgjigje, edhe duhet të ofroj opsione të sakta, për qeverinë e cila pastaj duhet të marrë këtë, bashkarisht me Planin për energji dhe klimë, bashkarisht me gazin natyror, me burimet e energjisë së ripërtërishme, dhe të gjitha amibiciet dhe me dalë me një strategji të energjisë e cila jep një udhërrëfyes të bazuar në informata pak a shumë të sakta”, elaboroj Haxhiu.

Çmimet aktuale të energjisë në vend në asnjë mënyrë nuk mund të mbulojnë investimet e nevojshme kapitale për sektorin e energjisë

Haxhiu atribuojë edhe ndryshimet e shpeshta politike në vend, që kanë rezultuar në destabilitet dhe mungesë të vëmendjes së merituar ndaj sektorit energjetik.

“Destabiliteti politik ka ndikuar në çdo aspekt të jetës shoqërore, duke përfshirë edhe sektorin e energjisë”, theksoj Haxhiu.

Ndërsa i referohet çmimit të energjisë në vend, si ndër çmimet më të ulëta në kontinent, Haxhiu ka listuar skenaret potenciale investive të cilat presin vendin, e që mund të sjellin kosto të papërballueshme për sektorin e energjisë.

“Çka nuk përmenda këtu, ne kemi çmimin më të ulët në Evropë, statisikat e Eurostat tregojn që jemi vend me çmimin më të ulët të energjisë. Të gjitha këto investime qoftë në rehabilitim të ‘Kosova B’, qoftë çkado me ‘Kosova A’, kanë direkt implikim edhe në nivelin e investimeve të domosdoshme në mihje”, shtoj tutje Haxhiu.

Ai gjithashtu përmendi që investimet e reja në gjenerim dhe infrastrukturën përcjellëse në 10 vitet e ardhshme arrijë afër 3 miliardë euro.

“Studimi i fundit i 2019 për mihje kërkon 300 milion euro investime në mihje, jemi duke folur 300 milion euro ‘Kosova B’, 100 deri në 800 milion euro ‘Kosova A’, 200 deri në 300 në mihje, energjia e ripërtërishme, forcimi i rrjetit në nivel të transmisionit dhe distribucionit, dhe shumë sene të tjera. Jemi duke folur për investime 2-3 miliardë euro në 10 vitet e ardhshme, kur e shohim se i gjithë qarkullimi i sektorit të energjisë është më pak se 300 miion euro, kur do t’i kthesh ti 2-3 miliardë euro me këtë tarifë?”, tha Haxhiu.

“Çmimi aktual i energjisë është absolutisht i papërballueshëm për sektorin e energjisë dhe nuk lejon investime kapitale. Nëse ne jemi serioz për këtë sektor, atëherë çmimet duhet të reflektojnë të gjitha kostot”, tha Haxhiu.

“Për të tejkaluar këtë, nuk dua të avokoj rritje të çmimit, por një rritje është e domosdoshme për të garantuar siguri të furnizimit”, përfundoj Haxhiu.

===

Podkasti ‘Minutat Elektrikë’ zhvillohet nga Kosovo.Energy dhe Paper Radio në kuadër të emisionit ‘Pak ma drejt me Uran Haxhën’. Podkasti transmetohet direkt në valët e Paper Radio në 91.1 FM dhe online duke klikuar këtu.