Search

Kryeministri Kurti: Ne do të dëshironim të heqim dorë nga qymyri, mirëpo nuk mundemi

25 Mars, 2022


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se vendi do të kishte dashur të hiqte dorë nga thëngjilli, por nuk mundet.

Në paraqitjen e tij në emisionin DESKU në kuadër të KTV-së, kryeministri Kurti ka diskutuar për zhvillimin e vendit gjatë vitit të parë të mandatit si Kryeministër i vendit.

Në disa pjesë, kryeministrit i është kërkuar që të diskutohet edhe për çështjet dhe zhvillimet në sektorin e energjisë.

Kryeministri Kurti theksoi se edhe pse konflikti ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës po mbahet në Ukrainë, efektet ekonomike po ndihen edhe në vende të tjera dhe në Kosovë.

“Pra ne, edhe pse nuk jemi në luftë, ne po i ndjejmë pasojat e luftës. Furnizimi i Evropës perëndimore me gazin rus, që ka qenë shumë i madh, e tash me çmime shumë të larta e ka c’akorduar komplet bursën ndërkombëtare të energjisë”, tha KM Kurti.

“Dhe këtë po e ndjejmë edhe ne atëherë kur nuk arrijmë që ta mbulojmë konsumin e përgjithshëm me gjenerimin vendor të energjisë elektrike”, tha ai.

Rizvanolli: Mendimi se mund ta heqim brenda dhjetë viteve thëngjillin është iluzion me kushtet që i kemi

Lexo më shumë

Problemi i energjisë në veri të Kosovës një ndër dy çështjet tejet të rëndësishme brenda dialogut me Serbinë

Mos pagesa e energjisë elektrike nga qytetarët, kryesisht serbë, që banojnë në katër komunat veriore të Kosovës që nga fundi i luftës së vitit 1999, i ka kushtuar shtrenjtë buxhetit të shtetit të Kosovës.

Kryeministri Kurti ka nënvizuar se çështja e energjisë në veri të vendit është një nga dy çështjet që konsiderohen me rëndësi të madhe në kuadër të dialogut me Serbinë.

“Sinqeriteti im dhe serioziteti im përshkruhet në intencën time që dialogu të jetë për marrëveshje, jo dialog për dialog”, tha ai.

“Duam marrëveshje, marrëveshje të qendërzuar në njohjen reciproke, dhe gjithashtu t’i trajtojmë dy çështjet të cilat janë tejet të rëndësishme. Është çështja e të pagjeturve… dhe gjithashtu problemi i energjisë në veri të Kosovës që na dhemb më së shumti sa i përket shtetit dhe financave tona”, theksoi Kurti.

ZRrE konfirmon se po shqyrton aplikacionin e kompanisë serbe në veri

Lexo më shumë

KM Kurti: Ne nuk mund të heqim dorë nga qymyri, por do të shkojmë pak agresiv drejt burimeve të ripërtëritshme, me energji prej erës dhe diellit

E ardhmja e parashikueshme energjetike e Kosovës duket se është ende e lidhur me thëngjillin, këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri Albin Kurti, duke thënë se nuk mund të heqim dorë nga thëngjilli, edhe pse duam.

Sa i përket planeve, orientimit dhe burimeve që Kosova kërkon t’i shfrytëzojë, Kurti më tepër ka ritheksuar deklaratat e dëgjuara më parë nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Duke diskutuar për projektet e ardhshme të mëdha energjetike në Kosovë, kryeministri Kurti nënvizoi se kjo qeveri aktuale do të kërkojë investime agresive në projektet e reja të energjisë së ripërtëritshme, përkatësisht në energjinë diellore dhe të erës.

Megjithatë, ai gjithashtu vuri në dukje se qeveria do të duhet të bëjë disa investime edhe në dy termocentralet e vjetëruar me qymyr, Kosova A dhe Kosova B.

“Nuk është e lehtë, ne mund të bëjmë strategji t’i publikojmë dhe të themi se kemi strategji. Ne e kemi në njërën anë strategjinë kombëtare të zhvillimit, dhe në anën tjetër është strategjia e energjisë”, tha KM Kurti.

“E kemi një draft preliminar, për të qenë i sakt, e kemi një draft preliminar që po e diskutojnë kryeministria me ekspertë, dhe ministria e ekonomisë”, tha ai.

“Mirëpo, na duhet edhe pak ta stërhollojmë para se ta nxjerrim në debat publik”, theksoi ai.

“Ne nuk mund të heqim dorë nga qymyri. Ne do të dëshironim të heqim dorë nga qymyri, mirëpo nuk mund të heqim dorë nga qymyri”, tha ai.

“95% të energjisë elektrike prodhohet nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B. Është e pamundur”, theksoi ai.

“Pra, me termocentralin Kosova B e kemi diku rreth 500MË, me TC Kosova A i kemi dic më pak se 400 MË, aty sillen rreth 900 MË”, tha ai.

“Dhe jemi nën 100MË me burime të ripërtëritshme, pra ne nuk e arrijmë një 1 gigavat”, bëri të ditur ai.

“Ajo cfarë dëshirojmë ne është që të shkojmë pak agresiv drejt burimeve të ripërtëritshme, me energji prej erës dhe diellit, këtë do ta bëjmë”, tha ai.

“Por, do të na duhet që të bëjmë edhe riparime në termocentralet ekzistuese, por nuk kisha mund të flas tash se si, cila, dhe kur, se edhe kur është e rëndësishme”, theksoi KM Kurti.

Ministrja e Ekonomisë, Rizvanolli: Ndërtimi i termocentralit të ri nuk është një nga opsionet që po shqyrtojmë

Lexo më shumë

Ministrja Rizvanolli diskuton projektin solar 100 megavatësh të KEK-ut

Lexo më shumë

KM Kurti për pagesën në veri: Si taksapagues bashkarisht jemi duke paguar shtesë, pikërisht për sovranitet dhe integritet territorial

Është diskutuar edhe për çështjen e mundimshme që i lëndon të gjithë taksapaguesit në Kosovë, ajo e mospagesës së energjisë elektrike në veri të vendit.

Kryeministri Kurti përshkroi disa nga skenarët për të rregulluar këtë çështje.

Ai shpjegoi se një version përfshin shkyçjen e rrymës në veri.

Megjithatë, ai vuri në dukje se kjo do të përbënte një rrezik të lartë për sovranitetin e vendit, pasi ato katër komuna automatikisht do të lidhen dhe furnizohen nga Novi Pazari në Serbi.

Me shpresën e zgjidhjes së çështjes, ndërkohë, ai ka shpjeguar se për shkak të moskontrollit të KEDS-it, KESCO-s apo edhe KOSTT-it në atë zonë, milionat atje po paguhen për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

“Një verzion është që veriut t’ia ckycim energjinë elektrike për veriu, ti lëmë ata pa energji elektrike, që është keq, por është edhe më keq se automatikisht kycen me Novi Pazar”, tha KM Kurti.

“Dhe do të shktaktohej një konflikt të cilin ne ende nuk e dijmë si përfundon. Por edhe kështu pafundësisht nuk mund të vazhdojmë, është e qartë”, tha ai.

“Sepse rrjetin atje nuk e kontrollon as KEDS as KESCO, as KOSTT, por strukturat nga më të ndryshmet. Ne e dijmë cfarë gjendje është atje, është gjendje tash e më shumë se 20 vjet.Nuk e kontrollon KOSTT, as KEDS, stacionin e Vallacit për shembull”, tha KM Kurti.

“Mirëpo, ne dëshirojmë që gjithcka të zgjidhet në mënyrë paqësore me marrëveshje, dhe jemi duke bërë përpjekje maksimale, jemi duke i dhënë shancë marrëveshjes për çështjen e energjisë në veri, e cila na dhemb më së shumti”, theksoi ai.

“Mirëpo, shteti i Kosovës, qytetarët e Republikës, si taksapagues bashkarisht jemi duke paguar shtesë, pikërisht për sovranitet dhe integritet territorial”, sqaroi ai.

“Sepse gjëja më e thjeshtë e mundshme është ta ckycesh në Mitrovicë, veriun e Kosovës, dhe t’ia mundësosh lidhjen me Serbi”, tha ai.

Bislimi për energjinë në veri: Pritjet tona janë që të finalizohet shumë shpejtë

Lexo më shumë