Samiti i Ballkanit: Diskutohen objektivat e Kosovës dhe sfidat e vendeve të Rajonit
October 22, 2026
Tranzicioni drejt energjisë së pastër, siguria e furnizimit, investimet në burimet e ripërtëritshme dhe krijimi i kushteve të favorshme për investitorët ishin ndër temat kryesore të diskutuara në kuadër të Samitit të Ballkanit.
Samiti i Ballkanit të mbajtur në Prishtinë këtë vit, ka mbledhur përfaqësues së BE-së, Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut së bashku me kompani rajonale dhe ndërkombëtare.
Zëvendësministri i Ekonomisë i Kosovës, Getoar Mjeku tha se sektori energjetik i vendit vazhdon të jetë shumë i varur nga qymyri, por synimi është ndërtimi i një sektori të qëndrueshëm dhe të gatshëm për integrim në tregun evropian.
“Sektori ynë energjetik është shumë i varur nga qymyri, por vizioni ynë është të ndërtojmë një sektor të qëndrueshëm, i cili është i gatshëm të integrohet në tregun evropian. Për këtë qëllim, kemi një strategji ambicioze, por realiste, që mbulon periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2031.Ne po trajtojmë të ashtuquajturën trilemë energjetike, ose, trekëndëshin e interesave që duhet t’i balancojmë. Këto tri interesa janë dekarbonizimi ose mbrojtja e mjedisit, siguria e furnizimit me energji dhe përballueshmëria e çmimeve. Për këtë arsye, nga njëra anë, po punojmë për rinovimin e kapaciteteve ekzistuese, investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe integrimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë.Nga ana tjetër, po investojmë gjithashtu në efiçiencën e energjisë, me qëllim të uljes së kërkesës aty ku është e mundur dhe të sigurimit të energjisë aty ku nevojitet më së shumti, veçanërisht në sektorin terciar… Kemi pranuar ofertat financiare nga tri kompani me reputacion dhe pritet që vendimi për dhënien e kontratës të merret brenda këtij viti. Pas përfundimit të ankandit aktual, vitin e ardhshëm do të organizohet një tjetër ankand për kapacitet deri në 200 megavat. Gjithashtu, kemi nënshkruar një marrëveshje me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), e cila po punon ngushtë me ne për të siguruar krijimin e një sistemi të përshtatshëm”, tha Mjeku.
Ndërkaq, zëvendësministri i Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale i Maqedonisë së Veriut, Miroslav Labudović, foli për ndryshimet ligjore dhe investimet e vendit të tij në energjinë e ripërtëritshme.
Ai tha se Maqedonia e Veriut ka miratuar ligjin e ri për energjinë, ligjin për shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme dhe atë për efiçiencën e energjisë, ndërsa është duke analizuar edhe legjislacionin për minierat dhe gjeologjinë.
“Ne kemi miratuar ligjin e ri për energjinë, si dhe për herë të parë ligjin për shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Paralelisht, kemi miratuar edhe ligjin e ri për efiçiencën e energjisë, i cili mund të jetë me interes për ju. Gjithashtu, jemi duke analizuar ligjin për minierat dhe ligjin për gjeologjinë. Duke iu kthyer ligjit për energjinë, për herë të parë kemi përfshirë në të edhe sistemet e ruajtjes së energjisë. Më parë, këto sisteme nuk ishin pjesë e ligjit. Arsyeja është rritja shumë e madhe e energjisë nga burimet e ripërtëritshme që është prodhuar dhe integruar në rrjet gjatë viteve të fundit. Sa u përket burimeve të ripërtëritshme, deri në vitin 2025 kemi instaluar gjithsej 1.5 gigavat kapacitete të energjisë së ripërtëritshme, prej të cilave 1 gigavat vjen nga centralet diellore, ndërsa pjesa tjetër nga hidrocentralet dhe centralet e erës. Si qeveri dhe si shtet, aktualisht jemi duke investuar në disa projekte. Parashihet që të gjitha këto projekte të përfundojnë deri në vitin 2030. Në total, bëhet fjalë për 260 megavat kapacitete të centraleve diellore, të cilat do të ndërtohen në minierat e shfrytëzuara të qymyrit”, tha ai.
Në anën tjetër, shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Hubert Perr, theksoi se energjia është faktor kyç për konkurrueshmërinë dhe për vendimet e investitorëve, pavarësisht sektorit ku synojnë të investojnë.
“Nëse një investitor si ju dëshiron të vijë dhe të investojë në sektorin e energjisë, por edhe në ndonjë sektor tjetër, së pari do të shqyrtojë sigurinë e furnizimit me energji, stabilitetin e sektorit energjetik dhe çmimet e energjisë. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është edhe çështja se çfarë burimesh të energjisë janë në dispozicion në vendin ku dëshironi të investoni, veçanërisht tani që Bashkimi Evropian po e zbaton edhe Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit të Karbonit. Mendoj se nuk duhet të harrojmë as rëndësinë që ka energjia në jetën e përditshme të qytetarëve në çdo vend. Këtë po e shohim edhe tani në Evropë, ku rritja e çmimeve të energjisë mund të shkaktojë madje edhe pakënaqësi sociale dhe pakënaqësi te qytetarët. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian e konsideron energjinë një nga sektorët më të rëndësishëm ku dëshiron të angazhohet dhe të investojë, jo vetëm në Kosovë, por në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Mendoj se kjo pasqyron edhe arsyen pse Bashkimi Evropian angazhohet me vendet e Ballkanit Perëndimor: ne dëshirojmë që këto vende, përfundimisht, t’i bashkohen Bashkimit Evropian… Aktualisht, në Kosovë, jemi duke instaluar filtra në termocentralin ekzistues me qymyr, Kosova B, sepse tranzicioni nga qymyri kërkon kohë”, tha ai.
Objektivat Energjetike të Kosovë dhe Hapat e Ndërmarrë janë paraqitur
Kosova synon të arrijë 1600 MW kapacitete të energjisë së ripërtëritshme në rrjet deri në vitin 2031, ndërsa po vazhdon investimet në energjinë diellore, atë të erës dhe sistemet e baterive për balancimin e sistemit energjetik.
Kështu ka deklaruar zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, duke theksuar se synimi është ndërtimi i një sektori të qëndrueshëm energjetik dhe integrimi i tij në tregun evropian.
Mjeku tha se strategjia e energjisë ka për objektiva kryesore mbrojtjen e mjedisit, sigurinë e furnizimit dhe përballueshmërinë e kostos së energjisë.
“Ne po punojmë të ndërtojmë një sektor të qëndrueshëm, të integruar në tregun panevropian, konkretisht kemi një strategji të energjisë që është ambicioze, realiste, synon të përthekojë trekëndëshin e sfidave bashkëkohore që njërën anë është mbrojtja e mjedisit, në anën tjetër është siguria e furnizimit edhe përballueshmëria e kostos. Trekëndëshi që përthekojnë, siç kemi thënë, gjithherë me të dy duart, në njërën anë i kemi kapacitetet prodhuese, kapacitetet e magazinimit, por edhe investimet në rrjetin energjetik. Në anën tjetër, edhe politikat edhe programet e efiçiencës energjetike”, tha Mjeku.
Ai shtoi se po punojmë të ulim konsumin aty ku mundemi, edhe të kemi sa më shumë energji për të mbështetur industritë intensive, por edhe në përgjithësi rritjen ekonomike të vendit.
“Tashmë kemi mbyllur këndin e parë të diellit dhe parku diellor prej 105 MW po ndërtohet, që është rezultat i një gare të hapur në treg. Po i shqyrtojmë ofertat për ankandin e erës, kurse vitin e ardhshëm do ta nisim edhe një ankand të ri për energji me erë. Kemi marrë dy oferta nga një kompani amerikane që do ta ndërtojnë sistemin e baterive, një projekt gjigant, që do të ndihmojë balancimin e sistemit energjetik, dhe zhvillohet me përkrahjen bujare të Korporatës së Sfidës 9-vjeçare të Shteteve të Bashkuara, që japin 202 milionë dollarë grant”, tha Mjeku.
Ndërsa shtoi se për këtë projekt do te ndajë fonde edhe shteti. Përveç zhvillimit të burimeve të ripërtërira, Mjeku theksoi se Kosova synon edhe integrimin rajonal dhe evropian në sektorin e energjisë.
“Projektet janë në fushën e energjisë së gjelbër. Synojmë të kemi 1600 MW kapacitete të energjisë së ripërtërirë në rrjet deri në vitin 2031 dhe njëherësh të rritet konsumi prej këtyre burimeve. Njëkohësisht, synojmë integrimin rajonal dhe evropian. Po punojmë edhe me komunitetin e energjisë ku sivjet Kosova e ka kryesimin. Do të shtyjmë përpara integrimin e Kosovës dhe vendeve të rajonit, por njëkohësisht edhe të ndiqet rruga e tranzicionit të drejtë për qytetarët dhe kompanitë tona”, tha Mjeku.
/KP