Komisioni për Ekonomi kërkon raport nga Ministria Rizvanolli për objektivat e vitit të ardhshëm
October 22, 2026
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion ka përcaktuar si prioritete shqyrtimin e disa projektligjeve dhe raportimin e dy ministreve të linjës për planet dhe objektivat e tyre për periudhën 2026–2027.
Kryetari i komisionit, deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, tha se komisioni për shqyrtim aktualisht ka Projektligjin për Energjinë dhe Projektligjin për Energjinë Elektrike.
Po ashtu, sipas Mustafës, komisioni ka planifikuar të ftojë në raportim ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli për të paraqitur planet dhe objektivat e punës për vitet 2026–2027.
Diskutimet në komision u shoqëruan edhe me përplasje politike, pasi deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, kërkoi që në planin e punës të përfshihet një raportim i veçantë për marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për shitjen e thëngjillit.
Lushtaku kërkoi sqarime për dallimet në çmimet e shitjes dhe llogaridhënie për raportimet që lidhen me vitet 2022, 2024 dhe 2026.
“Po besoj, Nagip Krasniqi, po e dini ku është dhe çfarë gjendje e statusi ka. Për mua është me interes të kemi një raportim të veçantë dhe të shtjellohen krejt raportimet, qoftë të vitit 2022, 2024 apo 2026. Si përfaqësues të popullit, të kemi llogaridhënie para qytetarëve dhe t’i dëgjojmë nga afër krejt këto raportime. Unë po kërkoj pse janë këto dallime”, potencoi ai.
Në përgjigje të këtij diskutimi, deputeti i LVV-së, Valon Ramadani, kundërshtoi interpretimin se thëngjilli po shitet më lirë sesa në të kaluarën. Ai tha se çmimi i përmendur më herët ishte 45€, ndërsa çmimi aktual është 24€, duke theksuar se ky i fundit përfshin edhe shpenzimet e gërmimit dhe se shitja bëhet për blerësin nga Maqedonia e Veriut.
Ramadani pretendoi gjithashtu se gjatë periudhës kur PDK-ja ishte në pushtet, çmimi maksimal i shitjes kishte qenë 8€.
“Derisa kishte një diskutim prej një deputeti, nuk mundemi me lënë. Kemi me pasë rastin kur kemi me diskutuar dhe hetuar krejt ato që kërkohen, pasi nuk kemi çka me fsheh asnjë çështje hiç. Por, nëse ti e ngre si çështje dhe krijon një narracion se tash po shitet më lirë sesa më herët, kjo nuk qëndron. Unë e thashë se është shitur për 45, por tash 24 euro me gërmim, me krejt, prej Maqedonisë së Veriut. Ju, kur keni qenë në pushtet, maksimumi është shitur tetë euro”, përfundoi ai.
Krahas kësaj, komisioni miratoi edhe grupet punuese për shqyrtimin e projektligjeve që janë në procedurë.
/Kp