Search

Ministrja Rizvanolli diskuton projektin solar 100 megavatësh të KEK-ut

22 Mars, 2022


Ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, ka raportuar sot para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku ndër të tjera ka folur për sukseset e vitit të parë në mandatin e kësaj qeverie si dhe planet e ardhshme në lidhje me sektorin e energjisë.

E rëndësishme të theksohet ishte se Ministrja e Ekonomisë konfirmoi dhe ndau detaje në lidhje me impiantin solar 100 MW në fushat e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Rizvanolli shpjegoi strukturën financiare, palët e përfshira në mbështetjen e projektit, si dhe modalitetet dhe mundësitë për investime të tjera solare në fushat e KEK-ut.

“Janë vlerësuar pozitivisht nga ana e BE’së disa projekte me vlerë 92.4 milion bashkëinvestim me KEK’un”, tha ajo.

“Ni pjesë e madhe e këtij 92.4 milion është grante, ndërsa një pjesë e vogël është kredi e butë. Ndërsa këtu përfshihen projekte në vijim: Impianti fotovoltaik në lokacionin e KEK, 45 milion plus 5 milion bashkëfinancim nga ana e KEK”, theksoi Rizvanolli.

“Këtu jemi në proces për të definuar kapacitetet me të cilat do të aplikojmë edhe në WBIF, me qëllim që përmes një kombinimi me fonde të BE dhe fondet KfW dhe me fonde vetanake të arrijmë të ndërtojmë një kapacitet prej 100MW parkut solar në tokën e KEK, i cili do të jetë në pronësi të KEK, pa përjashtuar këtu mundësitë që pjesë të tjera të tokës të shfrytëzohen përmes modalititeve të ndryshme për investime të tjera në energji solare në kuadër të tokës së KEK”, tha ajo.

Fondi eficensës së energjisë po zhvillohet

Për më tepër, ajo ndau edhe punën që po bëhet për avancimin e mëtejshëm të fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Rizvanolli vuri në dukje se Kosova ka siguruar 3 milionë nga grantet IPA 2022 për fondin, duke shtuar këtu edhe aplikimin në ËBIF për të kryer një studim fizibiliteti për të kuptuar më mirë mundësitë dhe mekanizmat se si fondi EE mund të trajtojë sektorët e tjerë jopublik.

“Kemi siguruar mbështetje të mëtejme për fondin e Kosovës për Eficensë të Energjisë, 3 milion nga
grantet IPA 2022, dhe 1 milion bashkëfinancim nga buxheti i Kosovës”, tha ajo.

“Një zhvillim i rëndësishëm në këtë aspekt është që kemi aplikuar në fondin për investim për Ballkanin perëndimor – ËBIF, për një studim fizibiliteti në vlerë 1 milion euro”, theksoi ajo.

“Për të parë mundësitë dhe mekanizmat se si fondi i eficensës së energjisë mund ta trajtojë edhe sektorin residencial dhe atë privat në të ardhmen”, sqaroi ajo.

Paketa e financimit të MCC, që nuk do të përfshijë gazin, do të sillet për ratifikim në gusht apo shtator

Pas pyetjeve të anëtarëve të komisionit, ministrja e ekonomisë diskutoi edhe për projektin e gazsjellësit amerikan dhe paketën e parashikuar financiare, e cila sipas paraqitjeve dhe deklaratave të mëparshme të ministres do të rialokohet për projekte të tjera për avancimin e sektorit energjetik të vendit e jo për gaz.

“Në fakt kur kemi qenë duke folur për gazsjellësin për projektin që lidhet me infrastrukturën përcjellëse të gazsjellësit vitin e kaluar, granti i paraparë ka qenë 190 milion në atë projekt, ndërsa aktualisht jemi në negociata për 200 milion do të thotë për komplet grantin”, theksoi ajo.

“Plus një mundësi që 15% e 234 milionshit sa është projekti total bashk me financimin e Kosovës, të shfrytëzohet të merret grant nga DFC, për zhvillimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme”, sqaroi ajo.

“Negociatat për këtë do të vazhdojnë në fillimn e majit dhe shpresojmë që qoftë në javën e parë
të gushtit para se kuvendi të shkojë në pushim, qoftë menjëherë pas pushimit në shtator, varësisht
a arrijme pushimin a jo ta sjellim në kuvendin e Kosovës marrëveshjen për ratifikim”, bëri të ditur Rizvanolli.