Search

Bislimi për energjinë në veri: Pritjet tona janë që të finalizohet shumë shpejtë

25 Shkurt, 2022


Zëvendëskryeministri i Kosovës që po i prinë ekipit negociator në nivel ekspertësh, Besnik Bislimi, ka deklaruar se qeveria e Kosovës pret zgjidhje shumë shpejt për çështjen e energjisë për veriun e vendit.

Bislimi në fjalën e tij të sotme në Kuvendin e Kosovës iu drejtua deputetëve të pranishëm në Kuvend, ku ndër të tjera vuri në dukje se Kosova ka bërë progres të dukshëm sa i përket çështjes së energjisë në veri të vendit.

Me zgjidhjen e kësaj çështjeje, nënvizoi Bislimi, do të hapeshin rrugët për të përfshirë në një sistem ligjor të gjithë përdoruesit e energjisë elektrike në Kosovë, duke vendosur kështu parimin e barazisë.

“Në kuadër të angazhimeve të deri tanishme kemi përparuar dukshëm në gjetjen e zgjidhje finale për temën e energjisë në veri”, tha Bislimi.

“Problemtik kjo e trajtuar në kuadër të dialogut që në vitin 2013, por e zgjidhur që nga ajo kohë e deri më tani”, tha ai.

“Kjo temë është diskutuar në nivel bilateral me Bashkimin Evropian, edhe në takimin e fundit të datës 22 shkurt, dhe pritjet tona janë që e njejta të finalizohet shumë shpejtë”, theksoi ai.

“Kjo do t’i hapte përfundimisht rrugët futjes në sistem legal të gjithë shfrytëzuesve të energjisë elektrike në Kosovë, duke vendosur kështu parimin e barazisë”, tha Bislimi.

Bislimi në nëntor të 2021: Jemi dakorduar me BE-në që t’ju dorëzojmë atyre një plan konkret me hapat që duhet të ndërmarrim në 3 muajt e ardhshëm

Ndryshe, Kosovo.energy kujton se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në nëntor të vitit të kaluar kishte thënë se kanë dorëzuar një propozim të masave konkrete që duhet të merren nga BE-ja për rregullimin e kësaj çështjeje.

Ai kishte theksuar se propozimi ishte pritur jashtëzakonisht mirë nga zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak.

“Tek rasti i energjisë, mendoj që jemi në rrugë të mirë që edhe konsumin e energjisë në veri ta vendosim në binarët e sistemit tonë në tërësi. Jemi dakorduar me BE-në që t’ju dorëzojmë atyre një plan konkret me hapat që duhet të ndërmarrim në 3 muajt e ardhshëm, kemi bërë këtë që ditën e nesërme. Bisedimet ka qenë më 16 Nëntor, ne më 17 i kemi dorëzuar z. Lajçak një propozim të masave konkrete që nënkuptojmë edhe veprimet që duhet të ndërmarrin nga vet Bashkimi Evropian për akomodimin e pikës 13 që nënkupton obligimet e BE-së dhe mendoj që ky propozim është pritur jashtëzakonisht mirë nga zyra e tij”, tha Bislimi.

Mirëpo, zëvendëskryeministri Bislimi poashtu kishte theksuar se qeveria aktuale është viktimë e gabimeve që janë bërë në të kaluarën, ku sipas tij gabimi i parë është bërë kur është pranuar që çështja e energjisë elektrike në veri të Kosovës të trajtohet si çështje politike.

“Jemi viktimë e disa gabimeve fillestare që janë bërë në të kaluarën. Gabimi i parë është bërë që pagesën e energjisë në veri ta trajtojë si çështje politike. Nuk ka askund në botë ku pagesa e një shërbimi publik trajtohet nga dimensioni politik, është thjeshtë transaksion, ku qytetari merr një shërbim dhe për të njëjtin paguan koston. Por këtu pala serbe ka qenë e suksesshme sepse ka imponuar në tavolinën e bisedimeve një temë të thjeshtë ku është kontratë e qytetarët me komunën”, tha Bislimi.

Ai poashtu kishte thënë se tash do të merren me minimizim të dëmit dhe licencimin e një operatori tjetër, duke u kujdesur dhe duke mos prekur në distribuim dhe transmision të energjisë.

“Sikur kjo të mos mjaftonte ata kanë draftuar një marrëveshje që ka paqartësi të mëdha brenda dhe konfuzion saqë të krijon përshtypjen që personat e involvuar nuk e kanë ditur në mënyrë bazike si funksionon kjo. Neve na mbetet që të merremi me minimizim të dëmit, brenda kornizave të gjemë zgjidhje. Kjo zgjidhje ka të bëjë me licencimin e një operatori tjetër që bën furnizimin me energji elektrike, duke u kujdesur që në asnjë moment nuk preket uniteti si në transmision, as në distribuim të energjisë”, tha Bislimi, duke shtuar se duhet të përpiqen që qytetarët dhe bizneset të mos diskriminohen.