Search

Krasniqi diskuton tenderin për shitjen e thëngjillit, zbulon sa para kanë mbetur në llogarinë e KEK nga subvencioni i qeverisë

12 Gusht, 2022


Pas shitjes së raportuar të vitit të kaluar dhe interesit të përsëritur për blerje, Drejtori Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, ka diskutuar rreth takimit të mbajtur rishtazi me drejtuesit e Korporatës Energjetike të Maqedonisë së Veriut për të diskutuar një marrëveshje të ngjashme.

Sipas Krasniqit, preferenca e Kosovës është shkëmbimi i thëngjillit me energji elektrike, por ndau se Maqedonia e Veriut gjendet në një situatë të ngjashme jo të mirë me energji elektrike të pamjaftueshme, duke e bërë mundësinë e shkëmbimit të vështirë.

Megjithatë, Krasniqi theksoi se nga shitja e thëngjillit sërish përfiton korporata, pasi rrit të ardhurat e KEK-ut. Nga ana tjetër, Krasniqi theksoi se asnjë kërkesë për thëngjill të Kosovës nuk ka ardhur nga Serbia.

Këto komente, Krasniqi i bëri gjatë emisionit 60 Minuta në KTV të mërkurën.

“Kemi diskutuar me udhëheqësit e korporatës energjetike të Maqedonisë së Veriut për mundësinë e shkëmbimit mes thëngjillit dhe energjisë elektrike, por për momentin nuk është se kemi parë shumë mundësi për ta bërë këtë shkëmbim sepse edhe ata kanë kërkesa të mëdha të energjisë elektrike, por këto biseda do të vazhdojnë dhe në të ardhmen mund ta arrijmë një gjë të tillë. Ajo çfarë jemi pajtuar është se do të publikojmë një tender për shitjen e thëngjillit dhe ata kanë shprehur interes që të vijnë dhe të blejnë thëngjill nga ne dhe kjo do të ndikojë që ne të rrisim të hyrat e korporatës”, ka thënë ai.

Krasniqi: Deri në fund të vitit pritet të ratifikohet në parlamentin gjerman projekti solar për KEK

Lexo më shumë

Kompanitë shtetërore për prodhim të energjisë elektrike nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut intensifikojnë bashkëpunimin në prag të krizës energjetike

Lexo më shumë

Tenderi nuk do të favorizojë Maqedoninë e Veriut, ndonëse kjo e fundit ka shprehur interes konkret

Krasniqi theksoi se ka shumë gjasa që palët e tjera, shtetet, të jenë të interesuara për blerjen e thëngjillit.

Në këtë kuptim, ai shpjegoi se tenderi nuk do të favorizojë Maqedoninë e Veriut, ndonëse kjo e fundit ka shprehur interes konkret.

Megjithatë, Krasniqi theksoi se përparësi në diskutime do të kenë vendet që janë në gjendje të ofrojnë shkëmbim të energjisë elektrike.

“Kriteret e tenderit janë përcaktuar, se ato përcaktohen nga ne. Pastaj tregu e tregon se cfarë do të jetë cmimi i shitjes së këtij thëngjilli”, tha Krasniqi.

“Sigurisht [do të ketë të interesuar të tjerë]. Jo [nuk do të favorizojmë Maqedoninë e Veriut], sepse në një tender publik ne nuk mund të favorizojmë dikënd, kushtet janë të barabarta kur vije tek blerja”, tha ai.

“Sikur të kishte qenë tek kompensimi me energji, është cështje tjetër pastaj sepse ofrimin e kompensimit me energji nuk mund ta japin ata që nuk prodhojnë”, theksoi Krasniqi.

KEK në llogarinë e saj ka ende fonde të disponueshme nga subvencioni i vitit të kaluar nga qeveria e Kosovës

Përpjekjet dhe vendimet e qeverisë për të kontrolluar dhe menaxhuar krizën energjetike vitin e kaluar kanë përfshirë edhe subvencionimin e Korporatës Energjetike të vendit.

Krasniqi ka diskutuar në emisionin 60 minuta për buxhetin e ndarë, teksa ka thënë se mjetet janë ndarë dy herë për KEK-un, ndërsa ka nënvizuar se qëllimi ka qenë subvencionimi i tarifave të qytetarëve, përcjell Kosova.Energy.

I pyetur nëse KEK-u i ka shpenzuar plotësisht fondet, Krasniqi tha se më shumë se një e katërta e mjeteve janë ende në dispozicion të KEK-ut.

“Së pari duhet të thënë që ai subvencion nuk ka qenë për KEK, ai ka qenë për të subvencionuar tarifat e qytetarëve. Ne kemi bërë menaxhimin dhe mbikqyrjen e atyre fondeve, një pjesë edhe vet kemi bërë blerje, në një periudhë”, tha ai.

“Në fakt kanë qenë dy shuma, shuma e parë ka qenë 20 milion, shuma e dytë ka qenë 10 milion, nga gjitha këto shuma kanë ngel rreth mbi 7 milion të pa shpenzuara”, bëri të ditur Krasniqi.

“Do të thotë vetëm 23 milion ka qenë shuma që është shpenzuar tani, po flas në kesh, për subvencionimin e importit të energjisë elektrike”, tha ai.

“Kshtuqë, edhe 7 milion janë në llogari të KEK që mund të shfrytëzohen ndërkohë”, nënvizoi ai.

Kryeministri Kurti: Ne do të dëshironim të heqim dorë nga qymyri, mirëpo nuk mundemi

Lexo më shumë

Drejtori Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës ka diskutuar edhe për remontet dhe punët përkatëse që po bëhen në termocentrale

Ai ndau se B1 tashmë ka përfunduar remontin, ndërsa B2 aktualisht është duke i nënshtruar.

Për më tepër, ai ndau edhe orarin se kur do t’i vije rradha punimeve njësive A4 dhe A3, gjithmonë me shpresën që ato të jenë në gjendjen më të mirë të mundshme për muajt e ardhshëm të dimrit.

Krasniqi po ashtu tha se nga inspektimet e bëra në njësinë A5 të termocentralit Kosova A, është konstatuar se njësia ka probleme me turbinën e saj dhe do të jetë subjekt i një investimi kapital për të adresuar këtë çështje.

“Ne kemi bërë remontin e bllokut B1 në muajin korrik, tani në remont është blloku B2, derisa blloku B1 është kthyer në punë. Blloku A3 dhe A4 janë në punë, përderisa A4 të shkojë në shtator në remont rreth 20 dit, përderisa A3 në tetor”, tha ai.

“Në momentin që po flasim janë dy njësi të Kosovës A që janë në punë, të cilat sëbashku prodhojnë diku 260MËh, dhe blloku B1 që prodhon poashtu 260 MËh. Blloku A5 është jashtë përdorimit, dhe pas një inspektimi që është bërë, aty ka probleme me turbinë, dhe nuk presim që të hyjë në punë, derisa të fillojë remonti kapital i cili bëhet një herë në pesë vite, dhe pritet të zgjatë diku rreth 3 muaj”, theksoi Krasniqi.

“Ai është diku rreth 2 javë jasht funksionit, ne jemi duke bërë përgatitjet maksimale që të angazhojmë kompani evropiane të cilat do të merren me riparimin kapital”, tha ai.

“Nuk është problem cështja financiare [financimi i turbinës], është pjesë e buxhetit të KEK, por përshkak të situatës se përgjithshme energjetike, luftës në Ukrainë, edhe kanalet logjistike kanë probleme edhe me operatorë të ndryshëm kanë vështirësi të sigurojnë pjesë në dhënien e shërbimeve të tyre”, tha ai.

Ministrja Rizvanolli konfirmon investimet në revitalizmin e Kosova A, njësia e parë përfundohet në 2024

Lexo më shumë

Pas investimeve në të, Kosova B pritet të operojë deri në 2040

Lexo më shumë