Search

Ministrja Rizvanolli konfirmon investimet në revitalizmin e Kosova A, njësia e parë përfundohet në 2024

27 Maj, 2022


Dekomisikonimi i ndotësit më të keq dhe më të rëndë të ajrit në Evropë, termocentralit Kosova A, është një temë prej dekadash tashmë.

Megjithatë, duket se as kjo qeveri nuk është gati të heqë dorë nga termocentrali gati 60-vjeçar i vendit.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mbrëmë në emisionin #KALLXOPERNIME ka konfirmuar se një njësi e termocentralit ‘Kosova A’ do t’i nënshtrohet investimeve rivitalizuese.

Për më tepër, Rizvanolli theksoi se pas përfundimit të punimeve të rivitalizimit në njësinë e parë, që parashikohet të jetë në vitin 2024, planet janë që një njësi e dytë të rivitalizohet.

Sa i përket kostove, Rizvanolli tha se sipas llogaritjeve të bëra nga KEK-u, shuma e nevojshme për rivitalizimin e një njësie të tillë është rreth 120 milionë euro.

Pas përfundimit, ministrja tha se plani është që këto njësi të shfrytëzohen si rezervë strategjike, dhe të jenë shumë të vlefshme gjatë periudhës së dimrit kur kërkesa për energji në Kosovë rritet ndjeshëm.

“Për Kosovën A, plani është të revitalizohet një njësi e cila është e paraparë të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo në #KALLXOPERNIME, përcjell Kosovo.energy.

“Ndërsa të shikohet, pasi të përfundojë kjo, në vitin 2024 , të shikohet mundësia dhe nevoja për rivitalizmin e njësisë së dytë duke marrë parasysh në rradhë të parë sigurinë e punëtorëve edhe faktin e mungesës së sigurisë së furnizimit që e kemi aktualisht dhe ndikimit në ambient si rrjedhojë eficensës së ulët të këtyre kapaciteteve të vjetra. Është fjala për dy blloqet që janë në funksion”, zbuloi Rizvanolli

“Blloku i tretë tek Kosova A pritët të mbyllet pasi të kryhen rivatilizimet në këto të tjerat”, ndau ajo.

“Po flasim se çka parashihet në draftin e strategjisë që do të dal në konsultim. Rivitalzimi i një njësie do të filloj tani, ndërsa në 2024 do të merret vendimi për revitalizimin e njësisë së dytë, dhe nga 2028 këto njësi do të shërbejnë si rezervë strategjike të cilat funksionojnë dhe janë aty për pjesën e dimrit kur konsumi ynë është më i lartë, dhe kur sfidat tona të sistemit energjetik janë më të mëdha”, tha ajo në #KALLXOPERNIME, përcjell Kosovo.energy.

“Kjo duhet të ndodhë sa më shpejtë që të jetë e mundur”, insistoi ajo.

“Duke qenë se procedurat nuk kanë filluar, është vetëm një vlerësim paraprak, nga e ana e KEK, sipas të cilit 120 milion euro kushton revitalizimi i një blloku. Në bazë të kontakteve paraprake me kompani që kryejnë këto shërbime”, tha Rizvanolli.

“Cmimet janë relativisht të parashikueshme, sidomos për investimet që do të bëhen në Kosovën B, pak më pak në Kosovën A, por megjithatë do të ketë procedura të shprehjes së interesit dhe të tjera ku vlerësimi do të bëhet i saktë”, theksoi Rizvanolli.

“Kur po flasim për sigurinë e furnizimit duhet të kemi parasysh që 120 milion euro, i cili është vlerësimi për revitalizimin e një njësie, është kostoja që na ka kushtuar për subvencionim të energjisë elektrike vitin e kaluar, e që ka ardhur si pasojë e mospasjes së sigurisë së furniziimit, dhe si rezultat i kapaciteteve të vjetra që i kemi”, tha ajo në #KALLXOPERNIME, përcjell Kosovo.energy.

“Janë pjesë objektiva strategjike të strategjisë së energjisë që janë në përputhje me qëllimet e BE-së. E para është, përforcimi i sistemit dhe zhvillimi i një sistemi energjetik më të adaptoueshëm ndaj situatave të reja. E dyta është promovimi i burimeve të ripërtritshme të energjisë dhe dekarbonizimi i sektorit. E treta është rritja e eficiencës; e katërta përmisimi i bashkëpunimit rajonal dhe funksionimit të tregut dhe këtu në radhë të parë duhet të theksojmë me Shqipërinë dhe e fundit mbrojtja dhe fuqizimi i konsumatorëve”, tha ajo.