Shtrenjtim i vazhdueshëm e çmimit të derivateve – DHTIK kërkon ulje të akcizës dhe mbështetje për bizneset
September 24, 2026
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, DHTIK, ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me ngritjen e sërishme të çmimeve të derivateve të naftës në vend, e cila po shton presionin mbi të gjithë sektorët e ekonomisë, fermerët dhe konsumatorët.
Çështjet e transportit në Ngushticën e Hormuzit dhe Ngushticën Bab el-Mandeb, së bashku me sulmet që dëmtuan tubacionin Lindje-Perëndim të Arabisë Saudite që përdoret për të dërguar naftë në Detin e Kuq, së fundmi e shtynë çmimin e fuçisë së naftës së papërpunuar Brent mbi 100 dollarë. Duke shkaktuar rritje të çmimit të derivateve globalisht.
Sipas DHTIK-ut, kjo rritje po i rëndon tej mase ndërmarrjet, të cilat po përballen njëkohësisht me kosto më të larta të energjisë, transportit dhe inputeve të tjera.
Në njoftimin e saj, DHTIK bën të ditur se ndikimi i rritjes së çmimeve të karburanteve është veçanërisht i ndjeshëm për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike.
“Për një pjesë të ndërmarrjeve, veçanërisht ato prodhuese, ndërprerjet e energjisë i detyrojnë të përdorin gjeneratorë për të vazhduar procesin e punës, duke krijuar shpenzime shtesë për blerjen e derivateve,” thuhet në njoftim.
Një goditje e drejtpërdrejtë po i jepet edhe sektorit të bujqësisë, ku karburanti është input i domosdoshëm për punimin e tokës, mbjelljen dhe korrjen.
“Rritja e çmimit të derivateve përkthehet drejtpërdrejt në rritje të kostos së prodhimit bujqësor dhe mund të reflektohet në çmimet e produkteve, që ndikon më pas në pjesëmarrjen e tyre në tregun edhe ashtu të ngufatur nga importi,” alarmon DHTIK.
Gjithashtu, Dhoma thekson se ky shtrenjtim ka ndikuar drejtpërdrejt në “ngritjen e vazhdueshme të çmimeve të konsumit dhe kostove të ndërtimit dhe çmimeve të prodhimit.”
Duke marrë parasysh se kjo krizë po thellohet edhe nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe situata në Lindjen e Mesme, DHTIK i bën thirrje institucioneve të marrin shembull nga vendet e rajonit.
“Andaj, duke e parë që çmimi i derivateve vazhdon të ketë ngritje të ndjeshme dhe që kriza në Lindjen e Mesme nuk duket se do të zgjidhet shpejtë, DHTIK kërkon që edhe institucionet e Kosovës të shqyrtojnë pa vonesë mundësinë e uljes së përkohshme të akcizës dhe masa lehtësuese për sektorët më të prekur”, thekson DHTIK.
Ndër kërkesat dhe propozimet kryesore të DHTIK-ut përfshihen: Ulja e përkohshme e akcizës për derivatet e naftës, skema mbështetëse për bizneset që përdorin gjeneratorë gjatë reduktimeve të energjisë elektrike, masa lehtësuese për fermerët, për të cilët karburanti është input kyç dhe stimulimi i konsumit të produkteve vendore nga ana e Qeverisë.
Në përmbyllje, DHTIK shpreh keqardhje për mungesën e gatishmërisë institucionale për të realizuar një tryezë të përbashkët me komunitetin e biznesit, duke nënvizuar se “dialogu institucional me komunitetin e biznesit është i domosdoshëm për të gjetur zgjidhje praktike dhe të zbatueshme.” /Telegrafi