Search

LDK thotë se do të rehabilitojë dy termocentralet dhe do të rishikojë hidrocentralet

07 Shkurt, 2021


Në kuadër të premtimeve të paraqitura në Programin Qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se do të rehabilitojë dy termocentralet në Kosovë si dhe do të bëjë hapjen e mihjes së re të linjitit.

Ndërsa në Kosovën B është duke u implementuar projekti për ndërrim të elektro-filtrave, që njëkohësisht do të mundësojë edhe shtyerjen e jetëgjatësisë së këtij termocentrali, institucione dhe raporte ndërkombëtare kërkojnë dekomisionimin e sa më të shpejtë të Kosovës A.

Komisioni Evropian: Kosova duhet të fillojë përgatitjet për dekomisionimin e termocentralit Kosova A

Lexo më shumë

Një raport i mëhershëm fizibiliteti nga Komisioni Evropian thotë se rehabilitimi i Kosovës A është thjesht, ekonomikisht i parealizueshëm.

Investime në efiçiencë, burime të ripërtëritshme dhe rishikim i licencave të hidrocentraleve

E krahas premtimit për rehabilitim të termocentraleve, LDK ka thënë se do të kufizojë edhe lirimin e gazrave si dhe rishikimin e të gjitha licencave për hidrocentrale dhe gurëthyes.

Përvec tjerash, LDK ka thënë se do të ndihmojë arritjen e cakut prej 25% të energjisë nga burime të ripërtëritshme si dhe do të bëjë liberalizimin e tregut dhe integrimin rajonal të tij.

Në pjesën për energji elektrike në programin qeverisës, LDK ka thënë edhe se do të mbështesë efiçiencën e energjisë dhe do të bëjë zhvillimin e ngrohjes qendrore, pa dhënë shumë detaje.

Ndërsa ndër objektiva, LDK ka thënë edhe se do të bëjë kyçjen e Kosovës në rrjetin ndërkombëtar të gazit natyror.

Ndryshe, përvec LDK-së, edhe Vetëvendosje ka thënë se do të bëjë mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e dy termocentraleve ekzistuese ndërsa AAK tani më ka premtuar ndërtimin e dy termocentraleve të reja me nga 300 megavat, një me linjit dhe një me gaz.

Mustafa: Termocentraleve do t’i bëjmë analizë

Në emisionin #debatpernime të prodhuar nga Kallxo.Com, Besian Mustafa nga rradhët e LDK-së kishte thënë se LDK ka për qëllim të bëjë analiza për të shikuar nëse ato duhet të mbyllen ose jo.

“Sa i përket Termocentralit Kosova A dhe B duhet t’u bëjmë analizë se a duhet t’i mbyllim apo jo. Edhe më tej do të përdorim thëngjill, natyrisht do të insistojmë që të përdorim teknologjitë e reja në përdorimin e thëngjillit, por në periudhë afatmesme dhe afatgjatë do të synojmë që të kalojmë në energji të ripërtëritshme”, ka thënë Mustafa në Kallxo.com.

Mustafa ka thënë edhe se në lidhje me burimet e ripërtëritshme, nga tarifat nxitëse që aplikohen tani, Kosova do të fillojë implementimin e ankandeve të hapura.

Kurti zotohet të riparojë kapacitetet ekzistuese energjetike dhe të mbrojë lumenjtë

Lexo më shumë

AAK premton një termocentral me gaz në Dukagjin dhe një me thëngjill në Obiliq

Lexo më shumë