Search

AAK premton një termocentral me gaz në Dukagjin dhe një me thëngjill në Obiliq

04 Shkurt, 2021


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka publikuar programin zgjedhor 2021 – 2025, në kuadër të të cilit ka treguar edhe planet për sektorin e energjisë në Kosovë.

Në programin e publikuar, AAK tregon se konsumi i energjisë elektrike në Kosovë shënon rritje të vazhdueshme, ndërkohë që strategjia energjetike e vendit nuk ka arritur të adresojë gjendjen në të cilën jemi.

AAK vlerëson se shumë projekte të nisura nuk kanë arritur të realizohen ndërkohë që tregu energjetik në rajon dhe Evropë po ndryshon më dinamikë të shtuar.

Në programin e AAK-së për sektorin e energjisë është nënvizuar se niveli i rritjes së kërkesës për rrymë mund të zvogëlohet përmes investimeve në rrjet dhe efiçiencë të energjisë, krahas shtimit të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike në vend.

Termocentral 300 megavatësh me gaz në Dukagjin dhe një me të njejtin kapacitet me thëngjill në Obiliq

AAK ka propozuar ndërtimin e një termocentrali të ri ‘Kosova e Re’, këtë herë jo me 500 megavat siç ishte planifikuar, por me 300.

Ndërsa po vijon zbatimi i projektit për zëvendësimin e elektrofiltrave të termocentralit Kosova B për të mundësuar edhe 20 vite operim të këtij termocentrali, në program të AAK-së është nënvizuar se ky termocentral do të ndërtohet në strukturën ekzistuese të KEK-ut (Kosova B) në Komunën e Obiliqt.

Biden paralajmëron fundin e përdorimit të gazit brenda 15 viteve, ndërkohë që Kosova synon gazin nga marrëveshjet e Uashingtonit

Lexo më shumë

Përvec termocentralit me thëngjill, AAK propozon edhe ndërtimin e një termocentrali me gaz, me kapacitet të njejtë prej 300 megavatësh. Për lokacionin e termocentralit të dytë, AAK ka propozuar rrafshin e Dukagjinit.

Me dy termocentrale, AAK vlerëson se Kosovës do t’i shtohen 600 megavat orë kapacitete të prodhimit të rrymës dhe 5256 gigavat orë energji elektrike të prodhuara në vit.

AAK do të zëvendësojë tarifat nxitëse me ankande të hapura

Përvec termocentraleve, programi politik i AAK-së synon edhe arritjen e tavaneve të përcaktuara në pajtim me standardet e BE-së për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të ripërtëritshme të energjisë.

Deva: Po zhvillohet strategjia e re e energjisë dhe ankandi për BRE-të

Lexo më shumë

AAK ka shtuar se kjo duhet të bëhet duke u kujdesur që kostoja e energjisë për konsumatorët fundorë të mbetet e njejtë, ose edhe të fillojë të ulet në vitet në vijim.

Programi nënvizon se tarifat aktuale nxitëse për burime të ripërtëritshme do të zëvendësohen me ankande publike, duke ndikuar kështu në zvogëlim të kostos së prodhimit të energjisë nga këto burime.

Projekti gjigant i prodhimit të rrymës nga era drejt përfundimit

Lexo më shumë

AAK ka premtuar se në vitin 2021, do të arrijnë të prodhojnë 150 megavat shtesë nga burimet e erës dhe 30 megavat shtesë nga burimet fotovoltaike, ndërsa edhe do të ofrojnë fonde inkurajuese për ndërtimin e kapaciteteve të vogla për energji diellore në çati nga prodhuesit rezident dhe komercial.

Investime në efiçiencë dhe zvogëlim të humbjeve teknike

AAK thotë se do të vazhdojë të rrisë investimet në ndërtesat publike dhe banesore, duke përfshirë edhe ngrohjen qendrore, për të zvogëluar konsumin kombëtar të energjisë elektrike të Kosovës me rreth 600 gigavat deri në vitin 2030.

25.89% e energjisë elektrike të prodhuar në Kosovë gjatë vitit 2019 është raportuar e humbur

Lexo më shumë

Përvec këtyre investimeve, AAK ka thënë se do të përkushtohet në investime në transmetim dhe shpërndarje të energjisë elektrike, ndërsa theksoi raportet e Bankës Botërore që thonë se humbjet teknike vjetore nga rrjeti i shpërndarjes dhe transmetimit mund të zvogëlohen me 471 gigavat orë në vit deri në vitin 2030, ndërsa ato jo-teknike deri në 350 gigavat orë çdo vit.

AAK premton edhe ngrohje qendrore në Pejë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan

E përvec të lartëpërmendurave, AAK ka thënë se do të angazhohet edhe në zgjerimin e sistemeve të ngrohjes qendrore në qytete tjera.

Në program kanë nënvizuar se do të bëhet ndërtimi i edhe katër sistemeve të reja të ngrohjes në rajone të ndryshme, duke përfshirë Pejën, Prizrenin, Ferizajin dhe Gjilanin.

Investimi 20 milionësh për masa të eficiencës së energjisë fillon me Komunën e Lipjanit

Lexo më shumë

Ata kanë thënë se ky projekt është në përgatitje e sipër, ndërsa 154 milion euro janë ndarë në formë të granteve, kredive dhe financimit vetanak nga institucione të ndryshme.

Shtrirje të rrjetit të gazit në 7 rajone të Kosovës, lidhje me dy pika në rajon

Kosova nuk e ka të ndërtuar infrastrukturën e gazit dhe rrjedhimisht nuk ka as treg gazi. Në vitet që kemi lënë pas Qeveria e Kosovës është shprehur e interesuar për të zhvilluar infrastrukturën e gazit me qëllim që të diversifikoj burimet e energjisë, të jetë e ndërlidhur me rrjete rajonale e globale të gazit, por edhe të sigurojë mundësi zhvillimi të kapaciteteve industriale për vendin.

Për të mundësuar këtë, AAK ka premtuar se fillimisht do të zhvillojë master planin për lidhje në rrjetet e gazit në rajon dhe shtrirje të infrastrukturës së paku në shatë qendra të Kosovës.

Gazsjellësi TAP nis operacionet tregtare

Lexo më shumë

Në programin e tyre politik, AAK thonë se do të sigurojnë marrëveshjen për qasje dhe lidhje me gazsjellësin Trans Adriatik (TAP) përmes Shqipërisë.

E përveç TAP, AAK thekson se Kosova duhet të rehabilitojë dhe rindortojë rrjetin e gazit prej Obiliqit në Shkup (Azotiku) si dhe degëzimet në Kosovë, për të mundësuar importimin e gazit nga SHBA-të përmes terminalit të gazit të lëngshëm natyror në Greqi.

AAK thotë se do të zhvillojë dhe shtrijë rrjetin e gazsjellësit në shtatë rajone të Kosovës.

Programin e plotë të AAK-së mund t’a lexoni këtu.

BE e hapur për zgjerimin e Korridorit Jugor të Gazit në Ballkanin Perëndimor

Lexo më shumë