Search

Komisioni Evropian: Kosova duhet të fillojë përgatitjet për dekomisionimin e termocentralit Kosova A

07 Tetor, 2020


Kosovës i duhet të finalizojë azhurnimin mjedisor të termocentralit Kosova B dhe të përgatitet për dekomisionimin e termocentralit Kosova A, kështu thuhet në raportin vjetor të progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian.

Sipas raportit, Kosova vazhdon të mbetet shumë e varur nga qymyri, që është burim i ndotjes dhe paraqet rreziqe serioze për shëndetin.

‘Kosova ka bërë disa përgatitje në fushën e energjisë. Vendi ka shënuar progres në këtë fushë, veçanërisht në përafrimin me acquis të BE dhe në rritjen e investimeve të energjisë së ripërtëritshme. Sidoqoftë, diversifikimi i sektorit të energjisë është i ngadaltë dhe Kosova mbetet shumë e varur nga qymyri, i cili përveç se është një burim dominues i emetimit të gazrave serë, shkakton rreziqe serioze për shëndetin dhe mjedisin’, thuhet në raportin e progresit.

Raporti thekson se Kosovës i duhet të fokusohet në agjendë gjithëpërfshirëse të gjelbër, në përputhje me qëllimet e BE-se, dhe të bëjë zhvendosje graduale të prodhimit të energjisë nga qymyri në burime të energjisë së ripërtëritshme.

‘Meqenëse rekomandimet nga raporti i mëparshëm ishin adresuar vetëm pjesërisht, në vitin e ardhshëm, Kosova duhet të finalizojë azhurnimin mjedisor të termocentralit Kosova B dhe të bëjë përgatitjet për dekomisionimin e termocentralit Kosova A’, thuhet në raport.

Ndryshe, shumë raporte ndërkombëtare kanë kërkuar fillimin e procedurave për dekomisionimin e termocentralit Kosova A por një veprim i tillë po kundërshtohet nga KEK.

Në mbledhjen e rregullt të Bordit të Përkohshëm të Korporatës Energjetike të Kosovës, anëtarët e Bordit kanë insistuar për fillimin e procedurave për jetësimin e studimit të mirëfilltë të fizibilitetit për Termocentralin Kosova A.

LEXO EDHE: KEK insiston në ‘rivitalizimin’ e Kosovës A, të gjitha raportet e fizibilitetit e kundërshtojnë

Shumë kohë më parë, Banka Botërore këtij termocentrali i jepi epitetin e ndotësit më të madh në Evropë, dhe udhëzoi që të njejtin duhet mbyllur së shpejti.

Raport tjetër i mëhershëm i Komisionit Evropian mbi dekomisionimin e këtij termocentrali, në pjesën e konkluzave thotë se rivitalizimi i Kosovës A është thjeshtë, ekonomikisht i parealizueshëm.

‘Njësitë e termocentralit Kosova A kanë tejkaluar të gjitha afatet e mundshme kohore dhe investime të mëdha duhet bërë vetëm për t’i sjellur në standardin e lejuar mjedisor. Kjo është ekonomikisht e parealizueshme’, thuhet në raportin e Komisionit Evropian, që qysh në vitin 2009 kishte paralajmëruar dekomisionimin e këtij termocentrali.

Raporti vlerëson edhe se puna në këtë termocentral është shumë e rrezikshme deri sa re-vitalizimi është thjeshtë, i parealizueshëm dhe ekonomikisht -jo-fizibil.

Termocentrali Kosova A ka 5 njësi, të ndërtuara gjatë 1960-tave dhe në fillim të viteve 1970. Për momentin, vetëm njësitë A3 dhe A5 operojnë, deri sa njësia A4 është jasht prodhimit nga Prilli 2009 për shkak të problemeve në transformator, deri sa njësitë A1 dhe A2 nuk janë në përdorim për një kohë të gjatë.

Termocentrali që ka tejkaluar gjysmë shekulli operimi, tani më ka të gjitha afatet e jetëgjatësisë të tejkaluara.

Dekomisionimi i termocentraleve të moshës së njejtë me Kosovën A tani më ka ndodhur pothuajse në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.