Search

KEK vazhdon procedurat për rindërtimin e termocentralit ‘Kosova A’

19 Gusht, 2021


Në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 17 gusht 2021, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve (BPD) të Korporatës Energjetike të Kosovës ka marrë disa vendime të rëndësisë së veçantë për zhvillimin strategjik të korporatës.

Ndër vendimet e para të BPD të KEK është përgatitja e draft dokumentit Teknik lidhur me Termocentralin Kosova A dhe përgatitja e draft letrës për shprehjen e interesit lidhur me rindërtimin e saj.

Por, shumë raporte ndërkombëtare e kundërshtojnë revitalizimin dhe kërkojnë dekomisionimin e menjëhershëm të termocentralit. Sipas planeve dhe strategjisë paraprake të energjisë të Republikës së Kosovës, Kosova A do të mbyllej menjëherë pas fillimit të operimit të termocentralit të ri ‘Kosova e Re’.

Ndryshe, në mungesë të kapaciteteve të reja energjetike, dekomisionimi i Kosovës A do të vështirësonte jashtzakonisht shumë furnizimin me energji elektrike.

Vitin e kaluar KEK ka shpallur tender për studim fizibiliteti për Kosova A, këtë vit të njejtin e ka anuluar

Nuk është hera e parë që KEK kërkon rivitalizimin e termocentralit Kosova A. Deri sa më herët ka diskutuar këtë mundësi, ka një vit që KEK ka filluar me konkretizimin e planeve.

E përveç menaxhmentit të KEK, rindërtimi i njësisë Kosova A është kërkuar edhe nga punëtorët e këtij institucioni. Teksa po protestonin, edhe Sindikalistët e KEK kanë kërkuar revitalizimin e Kosovës A, dhe jo dekomisionimin, ashtu sic kërkohej me strategjinë e vjetër energjetike të vendit.

KEK shpallë tenderin 1.5 milionësh për studimin e fizibilitetit të termocentralit Kosova A

Lexo më shumë

Në nëntor të vitit të kaluar, KEK kishte shpallur tenderin 1.5 milionësh për studimin e fizibilitetit të termocentralit Kosova A, i cili tender ishte anuluar në shkurt të këtij viti.

Në dokumentin e publikuar në portalin ‘eProkurimi’, KEK ka thënë se anulimi është bërë para hapjes së tenderëve, për shkak të ngjarjeve dhe / apo arsyjeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe që kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit, njofton Kosovo.Energy.

Investimi në kapacitete të qymyrit ishte diskutuar si mundësi disa herë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Raporte dhe institucione ndërkombëtare kundërshtojnë rindërtimin e Kosovës A

Shumë kohë më parë, Banka Botërore këtij termocentrali i jepi epitetin e ndotësit më të madh në Evropë, dhe udhëzoi që të njejtin duhet mbyllur së shpejti. Edhe raporti i progresit të Kosovës për vitin 2019, përcjellur nga ai i vitit 2020, në pjesën për energji elektrike kërkon fillimin urgjent të përgatitjeve për dekomisionimin e Kosovës A.

Raport tjetër i mëhershëm i Komisionit Evropian mbi dekomisionimin e këtij termocentrali, në pjesën e konkluzave thotë se rivitalizimi i Kosovës A është thjeshtë, ekonomikisht i parealizueshëm.

‘Njësitë e termocentralit Kosova A kanë tejkaluar të gjitha afatet e mundshme kohore dhe investime të mëdha duhet bërë vetëm për t’i sjellur në standardin e lejuar mjedisor. Kjo është ekonomikisht e parealizueshme’, thuhet në raportin e Komisionit Evropian, që qysh në vitin 2009 kishte paralajmëruar dekomisionimin e këtij termocentrali.

Raporti vlerëson edhe se puna në këtë termocentral është shumë e rrezikshme deri sa re-vitalizimi është thjeshtë, i parealizueshëm dhe ekonomikisht -jo-fizibil, thuhet në raport.

KEK anulon tenderin për studimin e fizibilitetit për Kosovën A

Lexo më shumë

Ndryshe, përvec dëmeve mjedisore dhe mungesës së fizibilitetit ekonomik, mbyllja e Kosovës A kërkohet edhe nga Traktati i Komunitetit të Energjisë. ‘Kosova ka nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Energjisë në Tetor 2005 dhe ka ratifikuar atë në Korrik 2006’, thuhet në raportin për dekomisionimin e Kosovës A.

Si rrjedhojë, duke mos mbyllur termocentralin Kosova A, Kosova e rrezikon bindshëm edhe rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.

Dekomisionimi i termocentraleve të moshës së njejtë me Kosovën A tani më ka ndodhur pothuajse në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Gjiganti energjetik Kosova A: ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë?!

Termocentrali Kosova A ka 5 njësi, të ndërtuara gjatë 1960-tave dhe në fillim të viteve 1970. Për momentin, vetëm njësitë A3 dhe A5 operojnë, deri sa njësia A4 është jasht prodhimit nga Prilli 2009 për shkak të problemeve në transformator, deri sa njësitë A1 dhe A2 nuk janë në përdorim për një kohë të gjatë.

Termocentrali që ka tejkaluar gjysmë shekulli operimi, tani më ka të gjitha afatet e jetëgjatësisë të tejkaluara dhe sipas një numër raportesh, duke përfshirë edhe ato të Bankës Botërore, Kosova A është ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë.

Raportet theksojnë se njësia duhet dekomisionuar sa më shpejtë që është e mundur.