Search

KEK shpallë tenderin 1.5 milionësh për studimin e fizibilitetit të termocentralit Kosova A

26 Nëntor, 2020


Korporata Energjetike e Kosovës ka shpallur tender për studimin e fizibilitetit për revitalizimin e termocentralit Kosova A në vlerë prej 1.5 milionësh.

‘Theksi kryesor i këtij studimi është fizibiliteti i termocentrali Kosova A dhe mundësitë e revitalizimit të tij, si një hap i rëndësishëm drejt ofrimit të sigurisë së furnizimit me energji elektrike’, thuhet në dosjen e tenderit të publikuar në portalin e-prokurimi.

Nuk është hera e parë që KEK kërkon rivitalizimin e termocentralit Kosova A, anipse i njejti ka tejkaluar të gjitha afatet e operimit. Deri sa më herët ka diskutuar këtë mundësi, tani KEK ka filluar me konkretizimin e planeve.

Vitin e kaluar, teksa po protestonin, edhe Sindikalistët e KEK kanë kërkuar revitalizimin e Kosovës A, dhe jo dekomisionimin, ashtu sic parashihet me strategjinë energjetike të vendit.

Por, shumë raporte ndërkombëtare e kundërshtojnë revitalizimin dhe kërkojnë dekomisionimin e menjëhershëm të termocentralit.

Tenderi në kundërshtim me strategjinë energjetike të vendit

Ndryshe, tenderi i sapo-publikuar nga KEK në portalin ‘eprokurimi’ është në kundërshtim me strategjinë energjetike kombëtare të Kosovës, e cila sipas njoftimeve, aktualisht është duke u rishikuar.

Sipas kësaj strategjie, të gjitha njësitë e termocentralit Kosova A duhet dekomisionuar, për tu zëvendësuar me termocentralin e ri ‘Kosova e Re’.

Fati i këtij projekti që do të stabilizonte furnizimin me rrymë dhe do të reduktonte ndotjen në mjedis ende nuk dihet, pas tërheqjes së investitorit.

Raporte kredibile ndërkombëtare: rivitalizimi i Kosovës A është thjeshtë, ekonomikisht i parealizueshëm

Shumë kohë më parë, Banka Botërore këtij termocentrali i jepi epitetin e ndotësit më të madh në Evropë, dhe udhëzoi që të njejtin duhet mbyllur së shpejti. Edhe raporti i progresit të Kosovës për vitin 2019, përcjellur nga ai i vitit 2020, në pjesën për energji elektrike kërkon fillimin urgjent të përgatitjeve për dekomisionimin e Kosovës A.

Raport tjetër i mëhershëm i Komisionit Evropian mbi dekomisionimin e këtij termocentrali, në pjesën e konkluzave thotë se rivitalizimi i Kosovës A është thjeshtë, ekonomikisht i parealizueshëm.

‘Njësitë e termocentralit Kosova A kanë tejkaluar të gjitha afatet e mundshme kohore dhe investime të mëdha duhet bërë vetëm për t’i sjellur në standardin e lejuar mjedisor. Kjo është ekonomikisht e parealizueshme’, thuhet në raportin e Komisionit Evropian, që qysh në vitin 2009 kishte paralajmëruar dekomisionimin e këtij termocentrali.

Raporti vlerëson edhe se puna në këtë termocentral është shumë e rrezikshme deri sa re-vitalizimi është thjeshtë, i parealizueshëm dhe ekonomikisht -jo-fizibil, thuhet në raport.

Rivitalizimi i Kosovës A rrezikon integrimin e Kosovës në BE

Ndryshe, përvec dëmeve mjedisore dhe mungesës së fizibilitetit ekonomik, mbyllja e Kosovës A kërkohet edhe nga Traktati i Komunitetit të Energjisë. ‘Kosova ka nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Energjisë në Tetor 2005 dhe ka ratifikuar atë në Korrik 2006’, thuhet në raportin për dekomisionimin e Kosovës A.

Si rrjedhojë, duke mos mbyllur termocentralin Kosova A, Kosova e rrezikon bindshëm edhe rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.

Dekomisionimi i termocentraleve të moshës së njejtë me Kosovën A tani më ka ndodhur pothuajse në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Termocentralet simotra të Kosovës A në Evropë tashmë janë mbyllur

Në termoelektranën në Shoshtanj të Sllovenisë, blloqet një dhe dy të ndërtuara në vitet e 60-ta janë mbyllur më 2010 dhe 2008. Blloku A3 i të njejtit termocentral, i ndërtuar më 1960 është dekomisionuar (me vonesë) në vitin 2014. Njashtu si blloqet më lartë, edhe blloku 4 i ndërtuar më 1972 është mbyllur më 2018.

Sllovenia kishte ndërtuar termocentral të ri nga qymyri me kapacitet prej 600 megavatësh në Shoshtanj në vitin 2016, për të zëvendësuar mungesën e rrymës të shkaktuar nga mbyllja e termocentraleve të vjetra, të moshës së njejtë me Kosovën A.

Ndryshe, dokumente zyrtare strategjike të Ministrisë së Ekonomisë flasin për dekomisionimin e termocentralit Kosova A. Sipas ‘Planit Kombëtar të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë 2019 – 2021’, “Kosova A” do të çaktivizohet dhe zëvendësohet me termocentralin “Kosova e Re” në periudhën 2020-2023, ani pse e ardhmja e termocentralit të ri mbetet ende e pa-vendosur.

Gjiganti energjetik Kosova A: ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë?!

Termocentrali Kosova A ka 5 njësi, të ndërtuara gjatë 1960-tave dhe në fillim të viteve 1970. Për momentin, vetëm njësitë A3 dhe A5 operojnë, deri sa njësia A4 është jasht prodhimit nga Prilli 2009 për shkak të problemeve në transformator, deri sa njësitë A1 dhe A2 nuk janë në përdorim për një kohë të gjatë.

Termocentrali që ka tejkaluar gjysmë shekulli operimi, tani më ka të gjitha afatet e jetëgjatësisë të tejkaluara dhe sipas një numër raportesh, duke përfshirë edhe ato të Bankës Botërore, Kosova A është ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë.

Raportet theksojnë se njësia duhet dekomisionuar sa më shpejtë që është e mundur.