Search

Projekti gjigant i prodhimit të rrymës nga era drejt përfundimit

23 Nëntor, 2020


Fotografi të reja të lokacionit ku po ndërtohen parqet gjigante të prodhimit të energjisë nga era në Bajgorë tregojnë se projektet janë afër përfundimit.

Projekti parasheh vendosjen e 27 turbinave nga prodhuesi i mirënjohur General Electric në rajonin e Selacit në Bajgorë, dhe ndërtimi i tij pritet të përfundojë në vitin 2021, kur edhe do të fillojë prodhimi i energjisë elektrike dhe shpërndarja në rrjetin elektrik të Kosovës.

Përvec vendosjes së turbinave, projekti përfshinë edhe ndërtimin e linjës së transmetimit me gjatësi prej 21 kilometrash, si dhe ndërtimin e një nënstacionin në rajonin e Bajgorës.

Vlera totale e investimit është 170 milionë euro. Investimi është duke u realizuar nga kompania “Sowi Kosovo” në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Projekti është financuar përmes një kredie nga BERZH, në vlerë prej 58 milion eurosh. Përvec financimit nga BERZH, projekti financohet edhe nga Erste Bank dhe NLB Group deri sa 30% e pjesës së mbetur financohet nga pronarët e projektit.

Në këtë projekt, që konsiderohet ndër më të rëndësishmit në sektorin e energjisë së ripërtritshme në Kosovë, janë duke marrë pjesë investitorë nga shtatë vende të ndryshme të botës, me Gjermaninë dhe Izraelin si partnerë kryesor.

Për ndërtimin e projektit është angazhuar kompania e njohur gjermane – Notus Energy.

Pritet që gjenerimi i energjisë nga këto kapacitete të reja te burimeve të ripërtëritshme të fillojë ne vitin e ardhshëm.