Search

ZRRE autorizon dy projekte 70 megavatëshe të erës dhe 1,58 MW kapacitete të prosumatorëve

August 12, 2024


Më 7 gusht 2024, bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur seancën e nëntë me radhë për këtë vit, në të cilën miratoi dhënien e autorizimit për dy projekte për ndërtim të kapaciteteve të reja gjeneruese për prodhimin e rrymës nga era me kapacitet të përgjithshëm prej 70 megavatësh.

Në të njejtën mbledhje, Bordi autorizoi edhe dhënien e autorizimit për 82 kërkesa për ndërtimin e paneleve solare për konsumatorët vetë-prodhues (prosumatorët), me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 1,584 kilovatësh.

Në këtë seancë, Bordi i ZRRE-së gjithashtu shqyrtoi dhe mori vendime mbi miratimin e Procedurës së Rregullave të Tregut për Garancionin Financiar – me miratimin e kësaj procedure përcaktohet metodologjia e vlerës së garancionit financiarë para se një palë tregtare të mund të dorëzojë nominimet kontraktuale, nominimet fizike, ofertat për shitje dhe ofertat për blerje sipas rregullave të tregut.

Bordi gjithashtu miratoi Procedurën e Rregullave të Tregut për Nominimet – me miratimin e kësaj procedure përcaktohen përgjegjësitë e palëve tregtare për të dorëzuar nominimet fizike ,nominimet kontraktuale, nominimet ndërkufitare, përgjegjësit e bursave të energjisë për të dorëzuar nominimet kontraktuale tek OT, metodat dhe efektet e dorëzimit, si dhe miratoi rivlerësimin e sasisë së kapaciteteve ndërkufitare Shqipëri- Kosovë për procesin e bashkimit të tregjeve.

Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë ankesat e konsumatorëve si dhe disa çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.