Search

Shtyhet sërish afati për ankandin solar, reagojnë nga INDEP

18 Tetor, 2023


Ministria e Ekonomisë ka shtyrë afatin për pranimin e ofertave në ankandin e parë solar në Kosovë. Me shtyerjen e fundit, afati për dorëzimin e ofertave për kompanitë është ndryshuar katër herë.

Nga 15 gushti afati u ndryshua me 3 shtator. Pak kohë para përfundimit, afati ndryshoi sërish, këtë herë më 16 tetor. Krejt në fund, për herë të katërt, afati tani është përcaktuar për fund të muajit janar 2024.

Lajmi për shtyerjen e ankandit nuk është mirëpritur nga pjesëtarë të shoqërisë civile, të cilët kanë kërkuar sqarime të plota mbi vonesat dhe informimin e publikut për secilin hap të këtij procesi, shkruan Kosovo.Energy.

Në komunikatën e tyre për media, INDEP shpreh shqetësimin e thellë për vonesat dhe shtyerjet e vazhdueshme në procesin e ankandit të parë solar në Republikën e Kosovës.

Kosovë: Shpallet ankandi i parë për parkun me energji solare

Lexo më shumë

Shtyrja e afateve kohore dëmton besueshmërinë e procesit dhe dërgon sinjale negative tek investitorët potencial dhe ofertuesit, thuhet në reagimin e tyre.

“Ankandi i parë solar, jo vetëm që është vonuar e stërvonuar por edhe prej se është nisur ta bëj, Qeveria ka ndryshuar afatet për katër herë. Fillimisht u caktua për 15 gusht 2023, më pas u zhvendos në 3 shtator 2023 dhe së fundi në 16 tetor 2023. Tani, kemi parë në Portalin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë së Kosovës se data shtyhet më tej deri në 31 janar 2024”, kanë shkruar nga INDEP në reagimin e tyre.

Ata kanë kritikuar Ministrinë e Ekonomisë e edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës se nuk informojnë publikisht shtyerjet e këtyre afateve.

“As edhe një herë të vetme, nuk është bërë publike shtyerja e afateve për dorëzimin e ofertave nga ofertuesit, dhe informacioni i tillë bëhet i ditur vetëm përmes qasjes në Portalin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë së Kosovës. Pompoziteti i dhënë me rastin e lansimit të kësaj skeme mbështetëse, do të duhej që së paku të ishte transparent edhe përgjatë ndryshimeve të bëra në këto kohë”, thonë nga INDEP.

Kryeministri pas ankandit të energjisë solare: USAID-i, dora që na ngriti nga rrënojat e luftës, tash partneritet të besueshëm

Lexo më shumë

Ndryshe, më 12 maj 2023, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ministrja e Ekonomisë dhe Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) kishin njoftuar për nisjen e ankandit për 100-megavat kapacitete prodhuese të rrymës nga burimet solare fotovoltaike, raporton Kosovo.Energy.

Sipas kërkesave fillestare të ankandit, ofertuesit kishin kohë që deri më 15 gusht të dorëzonin ofertat, por afatet për këtë janë ndryshuar për katër herë.

Sipas INDEP, vonesa është edhe në kundërshtim me Programin e Zbatimit të Strategjisë së Energjisë së Kosovës për periudhën 2022-2025.

“Shkelja e këtij plani dhe vonesat e shpeshta rrezikojnë dinamikën e zbatimit të Strategjisë dhe zbehin rëndësinë e kësaj nisme. Ne besojmë se është në interesin më të mirë të të gjithëve që të sigurohet që investimet në sektorin e energjisë të kryhen pa vonesa dhe me transparencë të plotë”, thuhet në komunikatën e INDEP.

/Kosovo.Energy