70 MW kapacitet i ri prodhues – Përurohet parku i erës në Zatriq
September 18, 2026
Me 185 GWh energji të pastër në vit, Parku i Erës në Zatriq i shton Kosovës kapacitete të reja nga burimet e ripërtëritshme.
Ky investim prej 106 milionë eurosh nga Çalık Renewables dhe Eurokos Holding do të kontribon në sigurinë energjetike dhe në uljen e importeve gjatë muajve të dimrit.
Në Zatriq të Komunës së Rahovecit, më 10 shtator është përuruar Parku i Erës, me kapacitet të instaluar prej 70 MW, një nga investimet më të rëndësishme në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Turqisë në Kosovë, Şeyda Çimeli Aydın, drejtori i Bordit të Çalık Holding, Ahmet Çalık, drejtori i përgjithshëm i Çalık Renewables, Emre Erdoğan, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe partnerëve të projektit.
Kryeministri Kurti theksoi se sot në Zatriq po shënojmë një hap të rëndësishëm për të ardhmen energjetike të Republikës së Kosovës, një të ardhme në të cilën energjia prodhohet gjithnjë e më shumë nga burime të pastra.
“Kosova ka potencial të madh për energji të ripërtëritshme. Prandaj, si qeveri e Republikës së Kosovës jemi duke ndërmarrë hapa konkretë për ta shfrytëzuar këtë potencial, përmes investimeve të mençura dhe në interes të qytetarëve dhe të gjeneratave që vijnë”, vlerësoi Kurti.
Ministrja Rizvanolli theksoi se Rahoveci po bëhet qendra e energjisë së ripërtërishme në Kosovë, është komuna e parë në Kosovë që ka kapacitete energjetike të erës dhe do të ketë edhe kapacitete solare.
“Me 185 GWh orë energji të pastër në vit, projekti ka potencialin që të mbulojë konsumin vjetor të rreth 45 mijë amvisërive. Dhe përtej saj, fakti që po flasim për energji të erës, për kapacitete që kryesisht prodhojnë gjatë motit të ftohtë, kur kemi nevojë për më shumë energji, do të thotë që kontributi i këtij parku të erës prej 70 MW është i rëndësishëm për sektorin tonë energjetik dhe veçanërisht për zvogëlimin e importit gjatë muajve të ftohtë të dimrit”, tha ministrja Rizvanolli.
Projekti është zhvilluar nga kompania EV Wind Park SH.P.K., në partneritet me Çalık Renewables dhe Eurokos Holding, në përputhje me standardet e Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC).
70MW Energji e Erës: Së shpejti fillon operimi i parkut të ri
Financimi i projektit është bërë nga banka gjermane Helaba, ndërsa është garantuar nga agjencia zvicerane për sigurimin e eksporteve SERV (Swiss Export Risk Insurance).
Përurimi i Parkut të Erës në Zatriq shënon një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve të Kosovës për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, duke kontribuar në diversifikimin e burimeve të energjisë, rritjen e sigurisë energjetike dhe tranzicionin drejt një sistemi energjetik më të qëndrueshëm.
Me këtë park kapaciteti total i energjisë së erës në vend arrinë 207.2MW, raporton Kosovo Energy News. Ku përfshihen parku 1.35MW në Golesh, parku 35MW në malet e Kitkës si dhe parku më i madh në vend Selaci me kapacitet prej 105MW.