Search

Shqipëri: Licencat, ERE lëshoi 13 të reja gjatë këtij viti nga prodhimi i energjisë në HEC-e tek gazi

09 Shtator, 2021


Enti Rregullator i Energjisë (ERE) licencoi të paktën 13 subjekte gjatë këtij viti sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga vetë ky institucion, ka bërë të ditur Revista Monitor.

Pjesa më e madhe e licencave i takon atyre të prodhimit të energjisë nga hidrocentralet si dhe tregtimit ndërkohë që për disa kategori të veçanta nuk ka ende asnjë hyrje të re duke u mbajtur ekskluzivisht si tregje nga kompanitë publike apo edhe raste të tjera ku nuk ka të finalizuar asnjë projekt siç është energjia nga eolikët.

Deri në gusht të këtij viti ERE kishte lëshuar të paktën pesë licenca të reja për prodhim energjie nga hidrocentrale/termocentrale kur në total në të gjithë tregun janë aktive 157 licenca të kësaj natyre, përcjell Revista Monitor.

Sa i takon tregtimit, janë lëshuar edhe gjashtë licenca të reja duke qenë kështu pjesa dominuese e atyre që kanë marrë “ok” e Entit Rregullator të Energjisë për të vijuar aktivitetin. në total në treg sa i takon tregtimit të energjisë janë aktive 110 licenca.

Për furnizimin e energjisë elektrike është dhënë vetëm një licencë gjatë këtij viti për një kompani teksa në treg aktive janë 27 licenca të kësaj natyre.

Një tjetër licence e dhënë gjatë këtij viti është tek gazi natyror dhe kjo lidhet me transmetimin e gazit dhënë gazsjellësit TAP në 30 qershor 2021. Kjo licencë ka një afat 30 vjeçar nga data e fillimit të operimit. Gazsjellësi nisi aktivitetin tregtar në muajt e fundit të vitit të shkuar.

Tek fotovoltaikët dhe eolikët nga ana e ERE nuk është dhënë asnjë licencë e re gjatë këtij viti për shkak se edhe investimet në sidomos tek eoiket kanë munguar ndërkohë që për fotovoltaikët tashmë janë në prag zbatimi dy projekte të mëdha.

Transmetimi dhe shpërndarja janë dy licenca që mbahen nga kompanitë publike.

Prezenca në treg e një numri të madh kompanish që kanë në objekt aktivitetin nga prodhimi tek tregtimi apo furnizimi i energjisë krijon më shumë mundësi për ato biznese që janë në tregun e lirë për të siguruar energjinë në mënyrë të pavarur, kjo në kushtet kur numri pritet të rritet edhe me kompanitë e lidhura në 20kv. Deri më tani dalja në treg e një pjese të mirë kryesisht ato të lidhura në 35 kv ka rezultuar me çmime të kripura e lidhur kjo edhe me situatën jo të favorshme hidrike.

Ndërkohë që një element lehtësues i kësaj situate pritej të ishte Bursa e Energjisë e cila sipas planeve fillestare duhej të kishte nisur prej kohësh operimin por që aktualisht është ende në fazë prokurimi të platformës./N.Maho

Shqipëri - Qeveria miraton ofertën e Kurum për “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, “HEC, Ulëz – Shkopet”

Lexo më shumë

Prodhimi i energjisë në HEC-et publike në Shqipëri u rrit me 2,7 herë

Lexo më shumë

'Energjitë e ripërtëritshme', ndër 8 prioritetet e para të Edi Ramës në Shqipëri

Lexo më shumë