Search

20 pjesëmarrës nga Kosova certifikohen nga Akademia e Mjedisit të BE

24 Prill, 2024


20 pjesëmarrës nga Kosova nga gjithsejtë 35 pjesëmarrës nga rajoni i Ballkanit Perëndimore që kanë ndjekur kursin “Akademia e Mjedisit të BE”, janë certifikuar për çështjet e integrimeve evropiane.

Akademia është organizuar nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Suedisë (SwEPA) në bashkëpunim me Institutin Europian për Administratë Publike (EIPA) nga Luksemburgu, në kuadër të projektit të bashkëpunimit me Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

Qëllimi i kursit ishte të forcojë njohuritë e anëtarëve potencialë të BE-së nga Ballkani Perëndimor për proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe funksionimin e të qenit anëtar i BE-së.

Pjesëmarrësit nga Kosova që kanë ndjekur kursin kanë qenë kryesisht nga sektori i mjedisit i institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, por edhe nga shoqria civile dhe nga struktura tjera organizative. Ata kanë marrë njohurit e duhura për politikën dhe metodologjinë e zgjerimit të BE-së, si dhe strategjinë e përafrimit, prandaj në të ardhmen do të jenë bartës të procesit të integrimeve evropianë për sektorin e mjedisit.

Ngritja e kapaciteteve për njohjen me kërkesat e integrimeve evropiane është shumë e rëndësishme në procesin e implementimit të këtyre obligimeve nga pala kosovare, dhe do ti shërbejë Kosovës në agjendën evropiane, përkatësisht përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e stabilizim asocimit me BE, përshtatjen e legjislacionit mjedisor me Direktivat e BE si dhe përmbushjen e standardeve dhe kërkesave të BE në kuadër të procesit të përafrimit dhe integrimit.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës i është mirënjohëse ambasadës së Suedisë në Kosovë, dhe Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtarë (SIDA), për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës përmes zbatimit të këtij projekti.