Search

Shqipëri: Gener 2 aplikon për ndërtimin e një centrali diellor me kapacitet prodhimi 50 megavatësh

24 Prill, 2024


Kompania shqiptare Gener 2 ka shprehur interes për ndërtimin e një centrali diellor me fuqi 50 megavat në zonën e Finiqit në Shqipëri.

Vepra nuk është koncesion dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse të qeverisë, pasi parashikohet të prodhojë për treg të lirë. Njoftimi është bërë nga Ministria e Energjisë.

“Shoqëria “GENER 2” SH.P.K. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 49.96 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt konçesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Bistricë, Bashkia Finiq, Qarku Vlorë,” thuhet në shpalljen e MIE.

Ky është projekti i radhës nga kompanitë shqiptare për ndërtimin e impianteve voltaike, një industri e cila vitet e fundit po zgjerohet me shpejtësi duke tërhequr investime të mëdha. Enti Rregullator i Energjisë bëri të ditur se në total kompanitë shqiptare apo të huaja, kanë shfaqur interes për ndërtimin e dhjetra impianteve, me një fuqi totale të konsiderueshme.

Ndërkaq, nisur nga fakti se një numër i madh i burimeve të energjisë elektrike, parashikohen që të ndërtohen dhe të lidhen në sistemin e transmetimit, Enti Rregullator i Energjisë thekson nevojën për një zhvillim më dinamik dhe investime për të integruar këto burime në sistemin elektroenergjitik shqiptar në vitet në vijim.