Search

Sektori privat kërkon shtyerjen e liberalizimit të tregut të energjisë

19 Mars, 2021


Sfidat e sektorit privat në raport me energjinë elektrike mbeten të shumëta. Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është një çështje e rëndësishme për komunitetin e biznesit, i cili vazhdimisht ka avokuar për shtyerjen e këtij procesi, marrë parasysh se rrethanat aktuale nuk janë të favorshme për një veprim të tillë.

Duke qenë të vetëdijshëm mbi peshën e rëndësisë së kësaj çështjeje, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një forum të diskutimit mbi liberalizimin e tregut të energjisë, me panelistë përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Sekretariati i Traktatit të Komunitetit të Energjisë, si dhe sektori privat.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, theksoi se kjo çështje nuk është më temë e re për komunitetin e biznesit, meqë ky është viti i tretë i përpjekjeve për të shtyer atë që njihet si liberalizim i tregut të energjisë.

Sipas Zekas, në rrethana të tilla të ofertës së kufizuar, fuqia negociuese e konsumatorëve komercial është më e kufizuar, duke bërë që ata të paguajnë tarifa më të larta të energjisë elektrike se mestarja e tarifave të rregulluara.

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, tha se problemi me liberalizimin e tregut të energjisë është një ndër sfidat të cilat po i shkaktohen komunitetit të biznesit si rrjedhojë edhe e pasigurisë politike, por edhe e mungesës së qartësisë dhe vendosjes së strategjive të qarta mbi zhvillimet të cilat duhet të kenë vendimmarrje në sektorin e energjisë.

Mimoza Kusari – Lila: Shtyerja e liberalizimit të tregut të energjisë e pa-evitueshme

Lexo më shumë

Ajo tha se çështja e mungesës së bordit të ZRRE-së krijon edhe më shumë vështirësi në këtë aspekt, derisa foli edhe mbi mundësitë e Kuvendit të Kosovës për veprim në këtë rast.

“Ajo çka në aspektin funksional dhe ligjor Kuvendi i Republikës së Kosovës, në përbërjen e saj, e cila shpresojmë të jetë funksionale deri në fundin e marsit, mund të bëjë, është që të sjellë një vendim me interpretim të zyrës ligjore, në të cilin i kërkon Rregullatorit që ky vendim në zbatim të shtyhet deri në plotëni, ose deri në përmbushje të Bordit të Rregullatorit të Energjisë,” tha Kusari-Lila.

Drejtori i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Petrit Pepaj, u shpreh se procesi i tranzicionit të energjisë është shumë kompleks. Ai foli mbi shtyerjen e procesit të liberalizimit të tregut, ku theksoi se me kërkesë të odave ekonomike dhe komisionit parlamentar relevant ky proces është shtyer për tre vite me radhë.

Pepaj: Liberalizimi i tregut është obligim i institucioneve në vend

Lexo më shumë

Pepaj tha se në vitin e kaluar Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka ngritur vërejtje ndaj Rregullatorit për mosveprim të këtij të fundit në hapje të tregut, derisa u shpreh se ZRRE duhet të respektojë ligjin, dhe se shqetësimet mund të tejkalohen për kohë të shkurtër nëse furnizuesit gjejnë klientë.

Visar Ramajli, bashkëpronar dhe partner menaxhues në kompaninë KIVO, u shpreh se komuniteti i biznesit po e kërkon një shtyerje të tillë për shkak se ky derregullim i tregut nënkupton rritje të çmimit, e cila pastaj përcjellet me rritje të kostove të prodhimit që për biznese nënkuptojnë vështirësi të reja.

Ramajli tha se është e drejtë e çdo biznesi të jetë i shqetësuar dhe të kërkojë të gjenden mënyra të përshkallëzimit të rritjes së çmimit, ose të gjenden mënyra që rritja e çmimeve të mos jetë në shkallën prej 40% e më lartë.

Arben Kllokoqi, ekspert në Sekretariatin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, tha se rritja e çmimit duhet të jetë subjekt i shqyrtimit të Rregullatorit nga aspekti i konkurrencës.

Ai theksoi se është shumë e rëndësishme të dihen faktorët që shkaktojnë rritje aq të larta dhe të monitorohen ofertat, meqë, nëse ekziston vetëm një furnizues dhe ka fuqi në treg, si i tillë mund të abuzojë tregun.