Search

Mimoza Kusari – Lila: Shtyerja e liberalizimit të tregut të energjisë e pa-evitueshme

18 Mars, 2021


Pavarësisht që në Kosovë tash e sa vite janë licencuar disa operatorë për furnizim me energji elektrke, vetëm njëri prej tyre ka kapacitete të funksionojë si i tillë në praktikë.

Kështu u tha në forumin virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, gjatë së cilit Mimoza Kusari Lila (Deputete), Petrit Pepaj (Zyra e Rregullatorit për Energji), dhe Visar Ramajli (KIVO & Sekretar i Përgjithshëm i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane), Mërgim Prishtina nga ndërmarrja Trepharm dhe Tregtia, Arben Kllokoqi përfaqësues i Komunitetit të Energjisë për Kosovë dhe Iliriana Hajdari, Drejtoreshë për Konsumatorë në KESCO, kanë diskutuar mbi liberalizimin e tregut të energjisë në Kosovë.

Mungesa e bordit të ZRRE-së krijon shumë vështirësi

Gjatë forumit virtual mbi Liberalizmin e Tregut të Energjisë të organizuar nga Oda Amerikane, deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari Lila, tha se problemi me liberalizimin e tregut të energjisë është një ndër sfidat të cilat po i shkaktohen komunitetit të biznesit si rrjedhojë edhe e pasigurisë politike, por edhe e mungesës së qartësisë dhe vendosjes së strategjive të qarta mbi zhvillimet të cilat duhet të kenë vendimmarrje në sektorin e energjisë.

Ajo tha se çështja e mungesës së bordit të ZRRE-së krijon edhe më shumë vështirësi në këtë aspekt, derisa foli edhe mbi mundësitë e Kuvendit të Kosovës për veprim në këtë rast.

Marrë parasysh kohën e shkurtër në dispozicion, Kusari – Lila tha se shtyerja e procesit këtë vit është e paevitueshme, ndërsa ndërtimi i kapaciteteve dhe infrastrukturës duhet të fillojë menjëherë pas formimit të qeverisë së re.

Shtyerja e procesit të liberalizimit të sektorit të energjisë këtë vit – e paevitueshme

‘Ky proces është duke e përcjell Kosovën me diskutim pa vendimmarrje për dy vitet e fundit. Ajo çka ka mbet pezull është bordi i ZRRE, dhe shumë trupa që i raportojnë kuvendit janë pa borde’, tha Kusari – Lila.

Ndryshe, ndërsa konstituimi i kuvendit pritet të ndodhë më 22 mars, dalja e konsumatorëve në tregun e hapur të energjisë elektrike pritet të ndodhë vetëm pas nëntë ditësh, më 1 prill.

“Duhet të krijohet bordi, dhe natyrisht të krijohet inftrastruktura tjetër teknike që do të ndihmojë tregtimin e energjisë brenda berzës shqipëtare të energjisë”, tha Kusari – Lila.

Ajo theksoi se Kosovën e presin edhe sfida tjera të fushës së energjisë, shumë nga të cilat lidhen edhe me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës karshi Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

“Tash me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, kemi gjithashtu edhe sfida të tjera që lidhen drejtpërdrejt me objektivat e energjisë së ripërtërishme, që është përsëri për kapacitetër elektro-energjetike të Kosovës, për vendosjen se si do të jenë dhe ku do të jetë baza e furnizimit me energji për Kosovë”, tha Kusari – Lila.

Kosova duhet të vendosë përfundimisht për të ardhmën energjetike

“Këtu po shpresoj që shumë shpejt në konstituimin e institucioneve do të kemi një debat dhe proces që ka vendimmarrjen e qartë, por që sot dhe deri në 1 Prill nuk i ballafaqojmë bizneset me probleme apo me sfidë që shkakton diskriminim të drejtpërdrejtë”, tha Kusari – Lila.

Ndërsa po diskutonte për projektet e mundshme të gazit në Kosovë, Mimoza Kusari Lila në fund të bisedës ritheksoi nevojën për të vendosur për të ardhmën energjetike të vendit, dhe opcionet që duhen përdorë.

“Të shikohet ajo që MCC tash e një kohë është duke e shtyerë, me marr një vendim që duhet të merret, a dëshirojmë me u lidh me rrjetin e gazit dhe cila është qasja dhe cilat afatet kohore na duhen, për prodhim të energjisë elektrke dhe furinizim industrial”, tha Mimoza Kusari Lila.