Search

Rizvanolli: Jemi duke përgatitur ankandin e parë të erës

12 Qershor, 2024


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në Samitin për Ballkanin Perëndimor 2024, të organizuar nga “The Economist”, i cili është mbajtur në Prishtinë.

Në Samit kanë marrë pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ish-kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, ish-Sekretari gjeneral i NATO-s, Lord George Robertson, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffery M. Honenier, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, <span;>ministra të Qeverisë së Kosovës,<span;> njohës të ekonomisë, biznesmenë dhe të ftuar të tjerë nga vendet evropiane dhe rajoni.

Ministrja Rizvanolli foli në panelin “Avancimi i qëndrueshmërisë: infrastruktura, zgjidhjet e energjisë dhe mundësitë e financimit”, e cila tha se është kënaqësi të jetë këtu sot, ku dy vjet më parë, pikërisht në këtë sallë, në Samitin për Ballkanin Perëndimor 2022, diskutuan nevojën urgjente për të kapërcyer krizën energjetike që në atë kohë kishte tronditur rëndë sektorët e energjisë në të gjithë Evropën, ku kishte theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe planifikimit strategjik për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin energjetik, si dhe për të mbrojtur qytetarët duke siguruar një mjedis të sigurt për investimet private.

Ministrja Rizvanolli gjithashtu theksoi se vitin e kaluar, filloi ankandi i parë Solar fotovoltaik (PV) 100 MW derisa ofroi procedura të thjeshta administrative, me kushte tërheqëse, duke përfshirë një marrëveshje 15-vjeçare të blerjes së energjisë elektrike (PPA) dhe një marrëveshje 30-vjeçare të qirasë së tokës,e kjo u mundësua nga qeverisja e mirë dhe konkurrenca e drejtë dhe transparente nga e cila përfitojnë qytetarët.

Në fund Rizvanolli shpalosi disa nga prioritete e ministrisë në dy vitet e ardhshme, e të cilat përfshijnë operacionalizimin e ankandit të parë Solar 100 MW, marrëveshjet e të cilit janë nënshkruar disa javë më parë, pastaj do të zhvillohet ankandi i erës prej 150 MW, i cili do të çojë përpara objektivat tona për energjinë e rinovueshme dhe do të jetë në partneritet publiko privat (PPP).

“Dy javë më parë përmbyllëm një ankand të suksesshëm, i cili ishte i pari për energji diellore për impiantin diellor 100 MW. Tani jemi duke përgatitur ankandin e parë të erës, por ndërkohë kemi përgatitur edhe një tubacion të ankandeve të ardhshme të erës”, ka thënë ajo.

Më pas prioritet do të jetë edhe finalizimi i projektit të ruajtjes së baterive, nga i cili ne do të ndërtojmë 340 MW rezerva energjetike, duke e bërë Kosovën vendin me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë.

Samiti për Ballkanin Perëndimor 2024 është organizuar nga revista prestigjioze “The Economist”, e cila është një ngjarje më rëndësi të madhe, ku kësaj radhe për temë kishte “Shpalosjen e potencialit të rajonit”.