Search

Po të mos kishte automjete, ndotja e ajrit në Kosovë do të ishte 50 për qind më e ulët

05 Janar, 2021


Gjatë periudhës së vetizolimit për shkak të pandemisë Covid-19 ka pasur rënie drastike për 50 – 60 për qind të emetimit të dioksidit të azotit, që lirohet nga djegia e karburanteve, thotë organizata Çohu në raportin e fundit ‘Ajri kërcënim për jetën’.

Ndotja e ajrit në Kosovë po shkakton pasoja të shumta. 760 njerëz vdesin çdo vit në Kosovë për shkak ndotjes së ajrit, ndërkaq kostoja ekonomike arrin mbi 240 milionë euro, ka raportuar Çohu.

Ndotja nga përdorimi i qymyrit dhe qarkullimi i automjeteve konsiderohen si burimet kryesore të ndotjes.

‘Transporti rrugor vlerësohet se ndikon shumë në ndotjen e ajrit, veçanërisht në qytetet e mëdha. Disa nga njohësit e fushës së mjedisit thonë se ndotja që shkaktohet nga automjetet është burimi më i madh i ndotjes në Kosovë’, thuhet në raport.

Në Strategjinë për Mbrojtjen e Mjedisit 2013-2022 thuhet se transporti rrugor është kontribuuesi më i madh i ndotjes së ajrit, veçanërisht në qytetet e mëdha.

Kostoja e vozitjes së veturave elektrike është 6 herë më e ulët se vozitja e një veture të rregullt

Lexo më shumë

‘Kemi pasur rënie drastike për 50 – 60 për qind të emetimit të dyoksidit të azotit që lirohet nga djegia e karburanteve dhe automatikisht n aka treguar që ndotja në Kosovë pot ë mos kishte automjete do të ishte për 50 për qind më e mirë’, ka thënë për Çohu Ilir Morina, kryeshef i Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit në Kosovë.

Emetimet nga automjetet janë SO₂ (dyoksidi i sulfurit), CO (monoksidet e karbonit), NOx (oksidet e azotit) dhe grimcat e pluhurit.

Aty thuhet se ndotja nga sulfuri paraqet problem të veçantë, për shkak të cilësisë së ulët të karburanteve me përmbajtje të lartë të sulfurit.

Në Kosovë janë të regjistruara 562 mijë e 426 automjete. Prej tyre 108,975 janë prodhuar para vitit 1990.

Automjetet e prodhuara në periudhën 1990-2000 janë 146 mijë e 923, kurse në periudhën 2000-2010 janë 243 mijë e 123 automjete dhe automjetet më të reja që janë prodhuar në periudhën 2010-2020 e që qarkullojnë në Kosovë janë 63 mijë e 405.

Sa i përket derivateve të cilat përdorin automjetet të cilat qarkullojnë në Kosovë, prijnë ato që përdorin naftë (399 mijë e 111), pastaj ato me benzinë (149 mijë e 538).

Ndërkaq numri i atyre që përdorin lloje të tjera të karburanteve si benzinë/LPG, benzinë/gas, benzinë/hibrid, dizel/hibrid, elektrik, etanol etj., është më i vogël.

Përvec automjeteve, ndër burimet më të mëdha të ndotjes në Kosovë është qymyri.

Të dy termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës prodhojnë energji me qymyr, gjë që ndikon në ndotjen e mjedisit të vendbanimeve të shumta, sidomos atyre përreth këtij kompleksi.

Në raportin “Fatura e papaguar shëndetësore – si na sëmurin termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor”, për Kosovën thuhet se dy termocentralet ekzistuese me qymyr krijojnë kosto të mëdha shëndetësore, jo vetëm për qytetarët e Kosovës por edhe atyre të rajonit.

Sipas raportit, për shkak të ndotjes së ajrit nga termocentralet me qymyr në Kosovë shkaktohen rreth 370 vdekje të parakohshme në vit.

Deri më 2025 qereku i të gjitha veturave në Evropë do të jenë elektrike

Lexo më shumë