Përfitimet nga prodhimi i energjisë elektrike dhe asaj termike nga panelet solare
12 Gusht, 2024
Me vendosjen e paneleve solare, qytetarët mund ta shndërrojnë energjinë e diellit në energji elektrike dhe termike.
Ata shpenzojnë për vendosjen e paneleve solare por të njëjtën shumë arrijnë ta nxjerrin për pak vite. Madje edhe fatura e energjisë elektrike në fund të muajit iu vjen më e lirë.
Këtë mundësi janë duke e shfrytëzuar qytetarë dhe biznese në Kosovë. Këtë më së miri e dëshmojnë të dhënat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, janë lëshuar mbi 400 autorizime për vetëkonsum apo mbi 66 për një muaj.
Sabri Hajredinaj nga fshati Stanovc, tash e 10 vite i ka të vendosura panelet solare në shtëpinë e tij. Ai thotë se faturat e energjisë elektrike i janë ulur dukshëm që nga vendosja e paneleve solare.
“ Me sa më kujtohet e kanë kalu 10-vjetëshin e më tepër, në atë kohë ka qenë bukur vështirë me i vendos por idenë e djalit dhe timen personale kemi vendos me i instalu, dashti Zoti ia kemi pa edhe hajrin. Në atë kohë që i kam marrë unë ka qenë modeli më i ri i paneleve, këto janë pa bateria, punojnë drejtpërdrejt me rrymë, në qoftëse nuk ka rrymë nuk ka as panele edhe prodhimin drejtpërdrejtë e dërgojnë në KEK… kështu që në fund të muajit së paku 50 euro jam në fitim prej solares”- thotë ai.
18 panele solare me kapacitet rreth 6 kilovat është duke i vendosur edhe Agron Pllana nga Vushtrria.
Pllana tregoi se arsyeja kryesore për vendosjen e paneleve solare ishin faturat e larta të energjisë elektrike veçanërisht gjatë muajve të dimrit.
“Arsyeja pse i kam vendos, njëra është shpenzimet e mëdha të energjisë elektrike edhe e dyta është për shkak të punëve dhe angazhimeve nuk kisha kohë me e ngroh shtëpinë kështu që e kam më të lehtë edhe drutë janë shtrenjtë me i ble dhe po besoj që me këtë më lehtë”- thotë ai.
Pllana pret që me vendosjen e paneleve solare të ketë ulje të faturës së energjisë elektrike.
Ai ka treguar në detaje se si ka shkuar i gjithë procesi për vendosjen e paneleve solare.
“Fillimisht kam kontaktu me menaxherin e kompanisë, i cili m’i ka sqaru të gjitha detajet, ai prezantimi i tij më ka bindë me vazhdu. Çmimi total i saj më ka kushtu 7 mijë euro dhe në bazë të kalkulimeve që kemi bërë me të, besoj që brenda tri viteve shpenzimi vjetor që kam pasë veç i nxjerri këto. Brenda muajve dimëror e kam pas 120 euro faturën minimale të energjisë elektrike e që ka shku deri në 150 euro si dhe duke marrë parasysh që vitin e fundit kanë shku dhe më lartë. Mesatarja e faturave të energjisë elektrike ka qenë 80 deri në 100 euro”- thotë Pllana për KALLXO.com
“Menaxheri i kompanisë është duke u marrë më të gjitha procedurat dhe ka fillu për me e kompletu dosjen që është dashtë me apliku në KEDS, KESCO dhe ZRRE. Nga ZRRE e kam marrë aprovimin që më është aprovuar kërkesa për 6 kilovatë”- deklaroi ai.
Një nga kompanitë që bën vendosjen e paneleve solare në Kosovë është edhe “Alfa Solar Energy”. Nga kjo kompani kanë treguar se cilat janë llojet e paneleve solare dhe çmimin për vendosjen e tyre.
“Sistemet solare ndahen në dy kategori të mëdha në ato solare termike dhe sisteme solare fotovoltaike. Kategoria e parë shërben për të ngrohur ujin përmes paneleve solare ndërsa sistemet solare fotovoltaike për me prodhu energjinë elektrike. Por tash edhe sistemet solare ndahen në tri kategori, ‘ongrid’ ‘offgrid’ dhe ‘hibrid’. Grupi i parë janë panelet të cilat më së shumti përdoren po flasim për Kosovë janë të gjitha ato sisteme që janë të lidhura për rrjetin elektrik. Në rastin tonë e kemi KEDS-in. Idea nuk është me u pavarësuar por me reduktutu. Në grupin ‘offgrid’ sistemet solare përdoren për shembull në zona ku nuk ka mundësi me u kyç në rrjetin elektrik si stane, villa. Këto sisteme kanë ekstra akumulues po bateri akumuluese. Për shembull tepricën e energjisë elektrike nuk e shfrytëzon në kohë reale ajo më pas merret kur nuk ka energji elektrike. Sistemi ‘hibrid’ kjo kryesisht përdoret për shtëpia është edhe i lidhur me sistemin elektrik por edhe ka bateri akumuluese”- shpjegon Gentiana Alija Shala nga ‘Alfa Solar Energy’.
“Zakonisht për një familje vendosen panele me kapacitet 7 kilovatë e që çmimi sillet diku rreth 7 mijë euro deri në 8 mijë euro, e që vendosen pa bateri akumuluese sepse hyp çmimi ndërsa kur kthehet ky investim kthimi i investimit ndodh brenda 7-8 vitesh. Për panele solare varet shumë edhe orientimi nga është shtëpia dhe si vendosen panelet”- thotë ajo.
Nga shtatori i vitit 2023, qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë që të pajisen me leje ndërtimore për vendosjen e paneleve solare fotovoltaike për konsum familjar me kapacitet deri në 7 kilovatë.
Kjo pasi Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka bërë plotësim-ndryshimin e udhëzimit administrativ MMPH Nr.08/2013 për ndërtime.
Sipas rregullës së re për konsumatorët me burime të ripërtritshme të konsumatorët familjarë kanë të drejtë të vendosin kapacitet gjenerues deri në 7 kilovatë; konsumatorët jo familjarë të kyçur në tensionin e ulët të rrjetit të shpërndarjes kanë të drejt të vendosin kapacitet gjeneruese për vetkonsum deri në 15 kilovatë; konsumatorët jo familjar të kyçur në tensionin e ultë të rrjetit të shpërndarjes kanë të drejt të vendosin kapacitete gjeneruese për vet-konsum me një fuqi që nuk kalon pragun prej 100 kW dhe konsumatorët e energjisë elektrike të kyçur në tensionin e mesëm të rrjetit të shpërndarjes (6kV, 10kV, 20kV dhe 35kV) dhe në rrjetin e transmetimit, që janë konsumator jo-shtëpiak kanë të drejt të vendosin kapacitete gjeneruese për vet-konsum prej 200 kW.
Ndërsa nga shkurti i vitit 2024, Ministria e Ekonomisë ka hapur thirrjen për subvencionim të konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për vendosje të paneleve solare.
/Kallxo.com