Ndërprerje të energjisë, thirrje për kursim dhe zhvendosje të ngarkesës – Temeraturat e ulta bëjnë efektin e tyre në sistemin energjetik
December 26, 2024
Disa zona të Kosovës ditëve të fundit kanë mbetur për orë të tëra pa energji elektrike.
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se këto vështirësi nuk janë rezultat i mungesës së energjisë, por i mbingarkesës së sistemit elektro-energjetik.
“Me uljen e temperaturave dhe duke qenë në prag të fundvitit, konsumi i energjisë elektrike është rritur ndjeshëm në rajon dhe në disa vende evropiane. Aktualisht, rrjeti i shpërndarjes dhe transmisionit ka arritur kapacitetin maksimal të shfrytëzimit (mbi 1400 MW gjatë ditës dhe mbrëmjes).
Kjo mbingarkesë po rrezikon stabilitetin e sistemit dhe furnizimin e disa zonave, për shkak të prishjeve që shpesh ndodhin në mot të lig ose mungesës së kapaciteteve të lira alternative për furnizim. Në afat të shkurtër, këto probleme mund të adresohen vetëm duke ulur konsumin e energjisë elektrike dhe duke sanuar problemet teknike në terren”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Ministria ka bërë të ditur se ekipet e KOSTT dhe KEDS janë duke punuar intensivisht për të riparuar defektet teknike dhe për të stabilizuar furnizimin me energji elektrike.
Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s përmes një video mesazhi ka thënë se përgjatë këtyre dy ditëve kërkesa për energji elektrike është rritur dukshëm. Ajo tha se konsumatorët duhet të kursejnë energjinë edhe për ngrohje në këto ditë ftohta ose siç tha Rashiti “të gjenden alternativa të tjera për ngrohje”, përcjell Telegrafi.
“Po flasim për 1500 MW/h. Rrjedhimisht, si pasojë e kësaj edhe ngrohja me energji elektrike po e bën të vetën dhe kemi mbingarkesa të tepërta në rrjetin e shpërndarjes. Është tejet e rëndësishme që gjithsecili të fillojë ta kursejë energjinë elektrike, ngrohjen ta përdorin sa më pak apo edhe të gjeni alternativa të tjera për ngrohje.
Është shumë me rëndësi që edhe gjatë natës të mos lihen kondicionerët hapur. Pasi edhe pas mesnatës ngarkesa është jashtëzakonisht e madhe. Përgjysmoni përdorimin e ngrohjes. Ndalini bojlerat dhe mundohuni ta kurseni maksimalisht energjinë elektrike sepse rrjeti është duke u mbingarkuar jashtëzakonisht shumë”, ka thënë ajo.
Ajo tutje tha se si pasojë e mbingarkesës ka edhe djegie të aseteve elektro energjetike në terren.
“Ndërkohë, ne dhe të gjithë akterët e sektorit të energjisë u bëjmë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në sigurinë e furnizimit duke racionalizuar konsumin e energjisë elektrike përgjatë kësaj jave kritike, dhe duke zhvendosur konsumin pas mesnatës në masën që është e mundshme. Ju faleminderit për bashkëpunimin në tejkalimin e kësaj situate”, thuhet në njoftimin e ministrisë së ekonomisë.
/Telegrafi