Search

Mjeku: Investimet në energji të ripërtërishme nuk do të mungojnë

14 Qershor, 2024


Zv/ministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, qëndroi në Kamenicë ku nga afër u njoftua me synimet dhe objektivat e zhvillimore dhe investimet efiçiente energjetike.

Me këtë rast, ai vizitoi objektin e qendrës për punë sociale ku edhe u bë inaugurimi i punimeve të restaurimit të këtij objekti.

Investimet në energji të ripërtërishme nuk do të mungojnë, tha zv/ministri Mjeku.

“Era dhe dielli janë dy burimet kryesore që po i shënjestërojmë tani. Në afatin e mesëm kemi një varg të projekteve që kapin vlerën e përllogaritur prej 1.2 miliardë euro”, tha Mjeku.

Ai tha se investimi i sotëm që u përurua në QPS kap shifrën 117 mijë euro, derisa ka edhe investime të tjera në komunën e Kamenicës, si në shkolla publike dhe në objekte tjera publike me rëndësi.

Bashkëpunimin me institucionet qendrore, kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, e konsideron të rëndësishme për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Ky është objekti i tretë që përurohet në Kamenicë, ku vlera e këtyre objekteve është rreth 500 mijë euro. Pra, QPS e ka vlerën mbi 100 mijë euro, ndërsa dy shkolla të tjera që ne i kemi rregulluar e përbëjnë shumë më të madhe”, tha Rahimaj.

Rivitalizimi i objekteve të vjetra ka nevojë të veçantë për trajtim, ndërsa mbështetja qeveritare është e rëndësishme dhe bashkëpunimi me fondin e efiçiencës nuk do të mungojë, u tha në këtë takim.