Search

Kryeministri Kurti u takua me pronarin e grupit “Yıldırım”

03 Maj, 2024


“Sot, Yıldırım Energy vendosi gurthemelin për parkun e energjisë diellore në mjediset e kompleksit Ferronikeli në Drenas”, njofton Zyra e Kryeministrit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim pronarin e grupit “Yıldırım”, Robert Yüksel Yıldırım.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, prezent në këtë takim ishte dhe ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angili.

“Sot, Yıldırım Energy vendosi gurthemelin për parkun e energjisë diellore në mjediset e kompleksit Ferronikeli në Drenas. Kapaciteti fillestar i paneleve solare është mbi 54 megavatë, ndërsa plani është që të arrihet në një kapacitet prej 150 megavatë në total, deri në 2026”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, kryeministri Kurti në takim vlerësoi objektivat që i bart ky projekt, i cili përkon me angazhimin e synimet e Kosovës drejt tranzicionit në energjinë e ripërtërishme. Në vijim, biseda u fokusua rreth mundësive dhe potenciale për investime në Kosovë.

Duke i falënderuar për zgjedhjen e Kosovës si një prej shteteve ku kjo kompani ka zgjedhur të investojë, kryeministri Kurti i uroi punë të mbarë e suksese në iniciativat e tyre.

Në qershor të vitit 2022, konglomerati ndërkombëtar “Yıldırım” me bazë në Türkiye ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e kompanisë kosovare “NewCo Ferronikeli”, një prej prodhuesve më të mëdhenj evropianë të ferronikelit, me bazë në Komunën e Drenasit.

/aa.com.tr