Search

INDEP rekomandon largimin e TVSH-së për pajisje fotovoltaike

30 Nëntor, 2020


Kosova e ka potencialin thelbësor për përvetësimin e instalimeve të pajisjeve fotovoltaike prej më pak se 10kWp në shtëpitë e banimit, ka thënë Instituti INDEP në përmbledhjen ekzekutive të raportit ‘Promovimi i Efiçencës së Energjisë dhe Burimeve të Ripërtëritshme në Kosovë’.

Shtrenjtimi i rrymës prej 20% dhe 40% do të siguronte një kapacitet prej 220 megavat dhe 260 megavat për prodhim të rrymës përmes pajisjeve fotovoltaike të inataluara në banesa.

‘Në skenarët e rritjes prej 20% dhe 40% të çmimit të energjisë, përkatësisht 44 mijë dhe 52 mijë konsumatorë të rinj kanë gjasa që të përvetësojnë sisteme fotovoltaike – domethënë VAN-i i tyre është pozitiv dhe pika e barazimit në kursimet e faturave është 10 vjet ose më pak. Në këta skenarë, kjo do të nënkuptonte një kapacitet prej 220MW dhe 260MW, përkatësisht, për gjenerim diellor të instaluar në banesa’, thuhet në përmbledhjen ekzekutive të INDEP.

Përmes instalimit të pajisjeve fotovoltaike për prodhimin e rrymës përvec konsumatorëve dhe prodhuesëve, do të përfitonin edhe një numër biznesesh që merren me zbatimin e këtyre projekteve.

‘Me nivele minimale të depërtimit në treg, instaluesit mund të përfitojnë të paktën 1 milion euro të hyra në vit vetëm nga sektori banesor, me bazë të mjaftueshme konsumatorësh për ta mbështetur biznesin dhe për t’u rritur për dekada’, thuhet në raportin e INDEP.

Përkundër potencialit të madh për prodhim të rrymës përmes pajisjeve fotovoltaike në amvisëri, mungesa e përhapjes së kësaj praktike ka të bëjë me arsye jofinanciare, sipas INDEP.

‘Arsyet e mungesës së përvetësimit të FV-ve duket se lidhen me mungesën e njohurive në treg, sistemet e tregut, vetëdijen për stimujt financiarë dhe opsionet e kredisë, dhe përfshirjen e qeverisë në stimulimin e duhur të sektorit’, thotë INDEP në raport.

INDEP ka rekomanduar një numër masash me qëllim të rritjes së numrit të amvisërive që prodhojnë rrymë nga sistemet fotovoltaike në shtëpitë e tyre.

‘Ministria e Financave e Kosovës të konsiderojë heqjen e TVSH-së për blerjen dhe instalimin e sistemeve FV me 10 kËp ose më pak (sektori i banimit). Kjo masë do të shërbente për ta stimuluar tregun dhe për t’i siguruar vende të punës të qëndrueshme në industri në të ardhmen e afërt’, ka rekomanduar INDEP.

INDEP ka kërkuar nga ndërmarrjet që merren me instalimin e pajisjeve fotovoltaike të rrisin shpenzimet për gjetjen e konsumatorëve, krahas rekomandimit për institucione financiare që të zhvillojnë produkte financiare që përkrahin iniciativat e tilla.

INDEP ka rekomanduar edhe Qeverinë e Kosovës dhe OJQ-të të shtojnë fokusin në edukimin e publikut.

‘Kjo mund të sjellë reduktim deri në 400GWh të kërkesës në 40 vitet e ardhshme’, kanë thënë INDEP në përfundim të raportit, të cilin të plotë mund t’a lexoni duke klikuar këtu.