Search

IEA: Burimet e ripërtëritshme do të tejkalojnë qymyrin në 5 vitet e ardhshme

08 Dhjetor, 2020


Burimet fotovoltaike dhe të erës do të tejkalojnë qymyrin si burim për prodhim të energjisë elektrike deri në vitin 2025, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) në raportin e fundit.

Raporti parashikon rritje masive të investimeve në energji të ripërtëritshme, ndërsa vendet më të mëdha kanë filluar programet për zvogëlim të emetimeve të karbonit.

India pritet të dyfishojë kapacitetet e BRE-ve

Sipas IEA, për shkak të zvogëlimit të kostove të prodhimit të energjisë nga këto dy burime, gjeneratorët e rrymës nga era dhe dielli shumë shpejt do të sfidojnë gjeneratorët ekzistues të karburanteve fosile.

Në raport, IEA ka shtuar se ndërtimi i projekteve për prodhim të rrymës nga era dhe dielli janë intensifikuar edhe gjatë periudhës së krizës pandemike, ndërsa viti 2021 pritet të shënojë rritjen rekorde të numrit të investimeve në energji të ripërtëritshme.

India ka planifikuar dyfishimin e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme në vitin 2021, thuhet në raport. Kapacitetet pritet të kenë rritje prej 30% në SHBA dhe Kinë.

Politikat e BE-së për dekarbonizim, nxitëset kryesore të rritjes së investimeve në BRE

Politikat e reja për ‘zero karbon’ të Bashkimit Evropian, do të jenë ndër nxitëset kryesore të rritjes së investimeve në burime të ripërtëritshme, dhe kjo do të ndikojë në cmime më të lira të energjisë elektrike.

Mund të duket befasuese, por edhe kompani të gazit dhe naftës parashikojnë rritje masive të investimeve në burime të ripërtëritshme. IEA pret që këto kompani do të dhjetëfishojnë investimet deri në vitin 2025.

IEA ka publikuar raportin ‘Burimet e ripërtëritshme 2020’ si pjesë e analizave të ndikimit të krizës pandemike në burime të ripërtëritshme.

E vendosur në Paris, IEA është themeluar në vitin 1975, pas krizës së naftës të vitit 1973. Në të bëjnë pjesë 30 shtete, duke përfshirë SHBA-të dhe pothuajse të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Kina dhe India janë anëtare të asocuar të Agjencisë.