Funksionalizohet nënstacioni i ri i energjisë elektrike në Ferizaj
January 24, 2025

Ditën e djeshme është mbajtur ceremonia e inaugurimit të Nënstacionit të ri Ferizaj 3, 110/35/10 kV, një arritje madhore në përmirësimin e infrastrukturës energjetike të Kosovës.
Ky është një projekt strategjik, për të garantuar e një furnizimi të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike. Me shtimin e këtij kapaciteti të ri pritet që qytetarët e Ferizajt dhe rajonit, të cilët kanë vuajtur gjatë muajit të fundit me mungesa të shpeshta dhe të gjata të energjisë të kenë furnizim stabil dhe cilësor gjatë pikut të konsumit. Të kyçur në këtë nënstacion janë rreth 12,000 konsumatorë.
Ministrja Rizvanolli tha se inaugurimi i këtij nënstacioni është një hap i rëndësishëm që mundëson furnizim të sigurt dhe të besueshëm me energji elektrike për qytetarët në rajonin e Ferizajt.
“Ky investim jo vetëm që do të mundësojë furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm për më shumë se dymbëdhjetëmijë konsumatorët, gjithashtu do të mbështes një zhvillim të qëndrueshëm të zonës dhe do të krijojë mundësi të reja për rritjen e sektorëve të ndryshëm ekonomik”, tha Rizvanolli.
Inaugurimi i nënstacionit në Zonën Industriale në Ferizaj, do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm për banorët dhe ekonominë e zonës së Ferizajt, Brezovicës, Shtërpcës, Kaçanikut dhe Shtimes.
Sipas KOSTT me shtimin e këtij kapaciteti në rreth, si pasoj e uljes së humbjeve në rrjet dhe uljes së energjisë së padërguar do të reduktohen deri në 780 MWh/vit. Gjë që do të mundësoj uljen e emetimeve të CO2 me 4.95 kiloton në vit.
Kostoja e projektit ka një vlerë totale prej 6.8 milionë euro, ku përfshin ndërtimin e një nënstacioni të avancuar të tipit GIS dhe një linjë ajrore dhe kabllore të dyfishtë 110 kV me gjatësi prej 3.31 km.