Search

Abazi: KEDS duhet të marrë përsipër menaxhimin në veri dhe KESCO të furnizojë në mungesë të furnizuesëve tjerë

06 Maj, 2021


Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka ripërsëritur se KEDS dhe KESCO duhet të menaxhojnë me humbjet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

‘Mendoj se është shumë e rëndësishme t’i jepet fund kësaj sage të keqpërdorimit të energjisë elektrike në veri. Ne kemi adoptuar termin humbje, por në fakt është shpenzim i energjisë elektrike që në faza të ndryshme njëherë është futë në faturat e qytetarëve mandej me vendimin e Ombudspersonit është bërë e qartë se është e padrejtë që qytetarët të paguajnë për energjinë e shpenzuar në veri. Mandej është futë disa herë radhazi në shpenzime direkte të buxhetit të Kosovës, që ka paguar për energjinë e shpenzuar në veri. Ka ardhë koha dhe momenti që qeveria të bëjë zgjidhjen e përhershme që është shumë e thjeshtë’, ka thënë Abazi.

Këto komente Abazi i bëri pak para se deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Kuvendi miraton rekomandimet e Komisionit për mbulimin e humbjeve për rrymën në veri

Lexo më shumë

Abazi ka sqaruar se pas përfundimit të procesit të privatizimit, KEDS është pronar i rrjetit të energjisë elektrike në gjithë territorin e Kosovës dhe kësisoji, kjo kompani duhet të merrë përsipër edhe menaxhimin e rrjetit në veri.

‘KESCO duhet të furnizojë me energji elektrike atë pjesë, deri sa nuk kemi furnizues tjerë. Mendoj që Zgjidhja afatshkurtër do të ishte që ne ti japim borxh furnizuesit dhe menaxhuesit të rrjetit dhe të përfundojmë njëherë e përgjithmonë që operatori të marrë financim direkt nga buxheti i Kosovës dhe qytetarëve’, ka thënë Abazi, ndërsa ka sqaruar se pas shumë vitesh përpjekjesh, qeveria e re do të gjejë një zgjidhje të përhershme për problemin e përsëritur të mos-pagesës së energjisë elektrike në veri.

Abazi: Pagesat e rrymës në veri, prioritet i Vetëvendosjes

Lexo më shumë

‘Është obligim i operatorëve privat që ata të sjellin planin e menaxhimit dhe furnizimit të energjisë dhe të mbledhin faturat. Përndryshe krijohet precedent tek qytetarët tjerë që edhe ata të mos paguajnë energjinë elektrike dhe të kërkojnë që dikush tjetër të bëjë atë kompensim’, ka thënë Abazi.

Abazi ka kërkuar që kujdes i veçantë t’i kushtohet shfrytëzimit ilegal të energjisë në veri, e sidomos ndaj atyre që shfrytëzojnë energjinë elektrike për të depozituar kriptovaluta.