Search

Kuvendi miraton rekomandimet e Komisionit për mbulimin e humbjeve për rrymën në veri

06 Maj, 2021


Me shumicë votash, deputetët kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

68 deputetë kanë qenë të pranishëm në sallën e Kuvendit ndërkaq 61 kanë votuar pro.

Me propozim të deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe Armend Muja, pas diskutimit të gjatë ndërmjet pozitës dhe opozitës, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti kishin aprovuar kërkesën e KOSTT për të paguar 11 milion euro për të kompensuar humbjet në veri.

Ndryshe, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka hyrë në obligime financiare prej 11 milionë eurosh për prodhim të energjisë në veri.

Këto mjete ky institucion i ka kërkuar nga Qeveria e vendit, por nëse ato nuk kompensohen, shpenzimet duhet t’i paguajë rrjeti Evropian të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSOE).

Banorët e katër komunave në veri të Kosovës Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës nuk kanë paguar faturat e shpenzuara të energjisë elektrike.

Borxhet për shfrytëzimin e rrymës në veri janë mbuluar nga konsumatorët tjerë të Republikës së Kosovës, përmes faturave të rregullta të energjisë elektrike.

Ndërkohë, një vendim i Gjykatës së Apelit, i pati dhënë fund praktikës që konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovës të paguajnë energjinë për banorët serbë në veri të vendit, të cilët nuk i njohin institucionet e Kosovës dhe për këtë, kompanitë që duhet të mbledhin faturat, nuk kanë qasje në atë pjesë.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian qysh në vitin 2013 ishte nënshkruar marrëveshja për energji, por që si e tillë nuk është zbatuar nga Serbia.

Në bazë të marrëveshjes për energji, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, kusht për Serbinë ishte edhe regjistrimi i një kompanie të re serbe, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Autoritetet kompetente të Kosovës kanë plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet për regjistrimin e kësaj kompanie, por që Serbia nuk po e bën një veprim të tillë.

Shtatë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit për energji mes Kosovës dhe Serbisë, kompania nga veriu i Kosovës, “Drustvo Elektrosever”, ka aplikuar për licencë të operimit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë.

Aplikimi ishte bërë para disa ditë pasi Kosova është pavarësuar nga Serbia si Zonë Rregulluese e Transmisionit. Kjo nuk ia mundëson më Serbisë që t’i shfrytëzojë asetet interkonektive të Kosovës.

Megjithatë, ky proces është bllokuar shkaku që Bordi i ZRRE-së është jofunksional.

Rekomandimet

  1. NP KOSTT, duhet të paraqes para komisionit funksional, në baza mujore devijimet e energjisë elektrike në këto komuna (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) – për gjashtë (6) muajt e ardhshëm, duke filluar nga muaji prill 2021;
  2. NP KOSTT, të paraqes në komision funksional, shpenzimet e energjisë elektrike në baza mujore retroaktivisht prej 1 janar 2018 – deri me 1 prill 2021;
  3. NP KOSTT, duhet të paraqes në komision funksional, zgjidhjen mujore për devijimin e energjisë elektrike në katër komunat e Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan);
  4. Autorizohet NP KOSTT të mbuloj devijimet e energjisë elektrike në katër komunat e vendit (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan), sipas zgjidhjes së prezentuar dhe miratuar në komisionin funksional duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm.
  5. Obligohet Qeveria e Kosovës, që brenda afatit gjashtë (6) mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi në bashkëpunim me palët përgjegjëse për faturimin e konsumatoreve në katër komunat e Republikës së Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) me energji elektrike.