Search

Abazi: Pagesat e rrymës në veri, prioritet i Vetëvendosjes

12 Shkurt, 2021


Haki Abazi, kandidat për deputet nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit ish-zëvendës Kryeministër në Qeverinë Kurti, ka thënë se çështja e pagesave të rrymës në veri është prioritet për qeverinë Kurti.

Ai tha se gjatë nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, Qeveria e Kosovës ishte në diksutime të vazhdueshme me KEDS-in dhe në proces të formulimit të strategjisë për mbledhjen e faturave të veriut.

‘Ne kemi qenë në diskutim intensiv me KEDS-in për t’a vendosur nën kontrollë edhe për të mbledhur shpenzimet dhe faturat në pjesën e veriut, ashtu sic bëhet më sërbët që jetojnë në jug. Ishte e qartë që kjo do të vazhdonte dhe do të përfundohej si strategji që qeveria e Kosovës së bashku me KEDS-in do të formulonin strategjinë për të filluar mbledhjen e faturave të veriut, dhe të vazhdohet në formën e unifikuar të menaxhimit të rrjetit energjetik dhe të distribucionit’, ka thënë Abazi në #DebatPernime të Kallxo.Com.

Ai ka përsëritur se nuk do të lejojnë që qytetarët tjerë të vazhdojnë të paguajnë për ngarkesën dhe shërbimet energjetike në veri të Kosovës.

‘Nëse sërbët në jug paguajnë, nuk ka asnjë arsyje pse sërbët në very të mos paguajnë. Dhe nën dy, është një kompani private turke që ka privatizuar rrjetin edhe atje dhe ajo duhet të përcaktojë strategji se si do të menaxhojë rrjetin edhe atje e ne do i ndihmojmë në atë drejtim. Dhe së treti, që është shumë e rëndësishme, edhe veriu do të lirohet nga kapja, nga krimi dhe korrupcioni’, ka thënë Abazi.

Edhe më herët, në lidhje me pagesën e energjisë elektrike në veri të Kosovës kandidati për Kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte sqaruar se gjatë mandatit të tij KEDS do të fillojë të bëjë inkasimin e pagesave për konsumatorët në veri, duke theksuar se një gjë e tillë është e pashmangshme.

‘Sa i përket pagesës së energjisë elektrike në veri ne do t’ia jepim një afat të shkurt KEDS-it për këtë gjë, që të bënë inkasimin edhe atje, e më pastaj do ta bëjmë një plan strategjik sepse pajtohem, nuk mund të vazhdojm kësisoj’, tha Kurti.

Kurti zotohet të riparojë kapacitetet ekzistuese energjetike dhe të mbrojë lumenjtë

Lexo më shumë

Ndryshe, furnizimi me energji në pjesën veriore është problem politik i pazgjidhur që nga paslufta. Në pamundësi që furnizuesit të operojnë në atë pjesë të Kosovës, ZRRE-ja me një vendim të 2013-s e ka llogaritur furnizimin e asaj pjese si humbje dhe ka thënë se humbje vjetore kanë qenë afro 8 milionë euro, të cilat u janë faturuar qytetarëve.

Por, pas padisë së Avokatit të Popullit kundër këtij vendimi, Gjykata Themelore ka pezulluar vendimin e ZRRE-së. Ndërkohë, lënda është në procedurë gjyqësore.

Sipas Marrëveshjes për energji të Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013, të dyja palët ishin dakorduar që të themelohet një kompani për furnizim dhe inkasim të faturave të energjisë elektrike sipas kornizës ligjore dhe rregullatore kosovare.

Shtatë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit për energji mes Kosovës dhe Serbisë, kompania nga veriu i Kosovës, “Drustvo Elektrosever”, ka aplikuar për licencë të operimit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë në janar të vitit 2021, ndërsa pritet lincencimi i kësaj kompanie nga këta të fundit.