Search

A po heqë dorë qeveria nga projekti i termocentralit Kosova e Re?

14 Maj, 2021


Në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021 – 2025 duket se qeveria aktuale ka hequr dorë nga ndërtimi i termocentralit të ri.

Në pjesën e programit për energji elektrike, Qeveria ka thënë se është përkushtuar për të krijuar kushtet për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm përmes teknologjisë, energjisë së pastër e të përballueshme.

Qeveria ka thënë se do të punojë në përmirësimin e menaxhimit të kapaciteteve ekzistuese energjetike, si bazë për siguri në furnizimin energjetik dhe rrugë e drejtë gjatë tranzicionit të dekarbonizimit energjetik.

“Do të zbatojmë masat ambientale në termocentralin Kosova B dhe dekomisionimin e aseteve jo-funksionale të Kosovës A. Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet shqyrtimit të fizibilitetit të të gjitha mundësive për zhvillimin e sistemit të gazit natyror, si dhe krijimit të tregut sa më konkurrues energjetik. Nëpërmjet Fondit për Efiçiencë të Energjisë (EE), i cili do të jetë i qëndrueshëm financiarisht, do të zbatojmë masat e EE, me synim që skemat financiare të shtrihen edhe në mbështetjen e sektorit privat dhe amvisëri”, thuhet në përfundimin e këtij kapitulli për çështjet e energjisë.

Programi i Qeverisë 2021 – 2025: Prioritetet për sektorin e energjisë

Lexo më shumë

Strategjia e kaluar e energjisë kishte paraparë investim në kapacitetet e reja gjeneruese për të mundësuar sigurinë e furnizimit me energji, e për këtë Qeveria kishte zhvilluar një tender të hapur dhe konkurrues, me ç’rast ContourGlobal ishte zgjedhur investitori për ndërtimin e gjeneratorit me kapacitet 450 MË.

Strategjia e vjetër e energjisë ka paraparë zëvendësimin e Kosovës A me termocentral të ri, programi qeverisës nuk flet për ndërtimin e kapaciteteve të reja

Strategjia kishte paraparë ndërtimin e një termocentrali të ri për të zëvendësuar humbjet në prodhim pas mbylljes së termocentralit Kosova A, ndërsa mbyllja e këtij të fundit është kërkuar disa herë nga Bashkimi Evropian.

Përmes termocentralit të ri, qeveria atë kohë kishte thënë se do të mundësojë sigurinë kombëtare të furnizimit me energji elektrike dhe prodhimin e mjaftueshëm për kërkesën në rritje për energji elektrike.

Por, strategjia e re e energjisë është duke u rishkruar, e ndërsa në programin qeverisës qeveria aktuale ka thënë se mëton investime në kapacitete ekzistuese energjetike, për të siguruar furnizimin me rrymë dhe jo ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë.

Sipas BE-së rivitalizimi i Kosovës A është ekonomikisht jo-fizibil

Aktualisht, gjenerimi i energjisë elektrike nga termocentralet mbulon rreth 94% të gjenerimit të përgjithshëm në Kosovë.

Përveç gjenerimit nga termocentralet, gjenerimi përkrahet edhe nga hidrocentralet: HC Ujmani me kapacitet të instaluar prej 35 megavat, kaskada e lumit Lumbardh me kapacitet rreth 26 megavat, dhe centrali me erë AirEnergy-KITKA me kapacitet rreth 32.4 megavat, si dhe disa centrale të vogla të kyçura në sistemin e shpërndarjes me kapacitet të instaluar 25.19 megavat.

Historia dy-dekadëshe e termocentralit të ri me thëngjill në Kosovë

Lexo më shumë

Termocentrali Kosova A ka pesë njësi të cilat janë ndërtuar gjatë viteve të 60-ta dhe 70-ta të shekullit të kaluar. Aktualisht funksionojnë njësitë A3, A4 dhe A5.

Njësitë A1 dhe A2 nuk janë në funksion për disa vite. Disponueshmëria e njësive të Kosovës A është rreth 50-60%.

E rivitalizimi i këtij termocentrali është kundërshtuar nga pothuajse të gjitha raportet ndërkombëtare, ambientalistët e edhe vetë Bashkimi Evropian.

Edhe në raportin e fundit të publikuar të progresit, Parlamenti Evropian ka ripërsëritur thirrjet për mbylljen e termocentralit Kosova A.

‘Parlamenti kërkon nga autoritetet e Kosovës të përmbushin përkushtimin e tyre për mbylljen dhe dekomisionimin e termocentralit Kosova A dhe mirëpret vullnetin e Komisionit Evropian për të mbështetur financiarisht dhe teknikisht Qeverinë e Kosovës në këtë proces’, thuhet në raport.

Një raport tjetër i mëhershëm i Komisionit Evropian revitalizimin e këtij termocentrali e kishte cilësuar si thjeshtë, ekonomikisht jo-fizibil.

Termocentralin Kosova B mund ta presin investime prej 330 milion eurosh

Në anën tjetër, termocentrali Kosova B përbëhet nga dy njësi me djegie linjiti me kapacitet të instaluar të gjenerimit prej 2×339 MVA. Mes viteve 2000 dhe 2002 janë realizuar projekte të ndryshme për rehabilitimin e këtyre blloqeve.

Haxhiu: Duhet të përcaktohet roli i ‘Kosova A’, investimet e nevojshme kapitale nuk mund të mbulohen nga tarifat aktuale

Lexo më shumë

Qëllimi i projekteve të caktuara rehabilituese ka qenë ngritja e nivelit të performancës së TC Kosovës B për të shtuar disponueshmërinë dhe karakteristikat kontrolluese.

Termocentrali Kosova B vepron me efiçiencë më të ulët – me kapacitet prej rreth 310 MË për njësi (në prag rreth 265 MË).

Njësitë e termocentralit Kosova B së shpejti do të arrijnë fundin e jetëgjatësisë së paraparë të tyre, andaj investime dhe masa të theksuara rehabilitimi ishin planifikuar të realizohen gjatë viteve 2023/2024 për t’i sjellë këto dy njësi në nivelin e standardeve që kërkohen për operim, e me këtë synohej të arrihej edhe niveli i standardeve mjedisore të kërkuara dhe për t’ua zgjatur jetëgjatësinë e tyre, përtej vitit 2039.

E ndërsa po vazhdon projekti i vendosjes së elektro-filtrave në termocentralin Kosova B, i financuar nga Bashkimi Evropian, ekspertët kanë thënë se sipas përllogaritjeve, nevojiten rreth 330 milion euro investime në termocentralin Kosova B për të mundësuar operimin e tij në pajtim me standardet e përcaktuara të BE-së.

BE e shqetësuar me varësinë e Kosovës ndaj qymyrit ndërsa Qeveria ka premtuar investime në këtë sektor

E ndërsa në programin qeverisës është lënë e hapur mundësia për investime në qymyr, BE në raportin e progresit kishte thënë se është e shqetësuar me varësinë Kosovës ndaj qymyrit, por edhe me planet për ndërtimin e termocentralit të ri, projektit tashmë të ‘anuluar’.

‘Kosova duhet të rrisë qëndrueshmërinë e sektorit të energjisë duke diversifikuar burimet energjetike, duke larguar menjëherë të gjitha subvencionet e papërputhshme të qymyrit, duke decentralizuar prodhimin e energjisë dhe duke u drejtuar drejt burimeve të ripërtëritshme’, thuhet në raport.

Komuniteti i Energjisë fillon procedura ndaj Kosovës dhe tri vendeve tjera për termocentralet

Lexo më shumë

Komuniteti i Energjisë i kishte bërë thirrje Kosovës të rishikojë subvencionet për thëngjill. Pak kohë pas thirrjes, tejkalimi i kufijve të ndotjes së ajrit në vitin 2018 dhe 2019 nga termocentralet e vendosura në katër palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë në Ballkanin Perëndimor kanë bërë që Sekretariati i Komunitetit të Energjisë të fillojë procedurat për zgjidhje të mosmarrëveshjeve ndaj këtyre vendeve. Lista përfshinë edhe Kosovën.

Në rastin e Kosovës, vendi kishte dështuar të respektojë kufijtë e lejuar për të gjithë ndotësit.

Kosova në udhëkryq: Mund të përfundojë me importe të energjisë elektrike

Ndryshe, në mungesë të kapaciteteve të reja energjetike dhe në rast të dekomisionimit të termocentralit Kosova A, Kosova rrezikon fuqishëm furnizimin me energji elektrike, për shkak të mungesës së saj.

Në një situatë të tillë, furnizimi me rrymë në Kosovë do të mund të mbështetej edhe në import të energjisë elektrike, që vetëm dekadën e fundit ka kushtuar rreth gjysmë miliardi euro.

E ndërsa për të investuar në termocentrale mund të mos ketë interesim fare, edhe operimi me termocentrale ekzistuese pritet të bëhet edhe më i kushtueshëm, kjo për shkak të prezantimit të taksave të reja të karbonit nga BE, të cilat së fundmi kishin arritur në cmimin 50 euro për një ton dioksid karboni.

Arben Kllokoqi paraljmëron: evitoni taksën e karbonit, mund të përfundojmë si treg i segmentuar

Lexo më shumë

Vazhdimi i operimit me termocentrale dhe investimet në alternativa që për prodhim të rrymës përdorin karburante fosile, pritet të vështirësohet edhe më shumë ndërsa bota çdo ditë e më shumë është përkushtuar për tranzicion energjetik në alternativa të ripërtëritshme dhe me ndikime minimale në mjedis.

Gjendja duket edhe më e komplikuar nëse merret parasysh kërkesa në rritje për energji elektrike. Çdo vit, Kosovarët por edhe shumica e vendeve në BE, shënojnë rritje të kërkesës për konsum të energjisë elektrike.

Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2021, kërkesa për energji elektrike në Kosovë është rritur për 13.52 përqind, krahasuar me tremujorin e njejtë të vitit të kaluar.
Disa rapote në botë theksojnë se me procesin e dixhitalizimit dhe automatizimit elektronik, kërkesa për energji elektrike mund të rritet deri në 50 përqind deri në vitin 2050, ndërsa sfida mbetet tranzicioni energjetik i cili do të mundësonte mjaftueshëm energji elektrike për këtë kërkesë, por duke mos ndikuar në ndotjen e mjedisit.

Rritet konsumi i energjisë elektrike për 13.52 përqind

Lexo më shumë
Në mungesë të kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë, Kosova mund të përfundojë duke importuar energji elektrike për të mundësuar furnizimin për kërkesën në rritje me të.

Aliu: Termocentralin e ri do ta ndërtojmë nëse është e nevojshme, por do t’i respektoj kriteret mjedisore

Mirëpo, ndryshe nga programi qeverisës, kur është pyetur për planet për ndërtimin e termocentralit të ri, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu kisht ethënë se nëse është e nevojshme, do të ndërtohet edhe termocentrali i ri.
“Me aq sa di, potencialet e qymyrit në vendin tonë mbase duhet edhe shfrytëzuar. Por, duhet të pasur gjithmonë parasysh aspektin mjedisor dhe ndikimin në mjedis”, tha Aliu.

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu – Do të ndërtojmë termocentral të ri me qymyr nëse është e nevojshme ta ndërtojmë

Lexo më shumë
Aliu vëri theks të veçant në arritjen e sigurisë së energjisë ne vend, ku qartësoj se energjia e siguruar nga burimet alternative nuk mundet dot ta siguroj, duke sqaruar kështu se nëse është e nevojshme një termocentral i ri do të ndërtohet.
“Do ta ndërtojmë nëse është e nevojshme ta ndërtojmë. Është një optimum një garancion i sigurisë së energjisë, që jo gjithmonë me energjinë alternative mundesh ta sigurosh. Janë termocentralet ato që ta garantojnë, kjo është një, pra ti ke me siguru atë bazën e prodhimit të energjisë, e cila ka me garantu ty energjinë në vend”, ka thënë Aliu.