Search

ZKA: KEK-u shkurtoi afatin e tenderit për intervenim në Termocentralin “Kosova B”

04 Korrik, 2024


Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka shkurtuar afatin e tenderit për intervenim në Termocentralin “Kosova B”.

Në Raportin e Auditimit për KEK-un për vitin 2023, thuhet se te tenderi “Shamotimi, izolimi tek kanalet ri qarkulluese dhe pllakat rrëshqitëse në TC Kosova B”, me vlerë të parashikuar prej 808 mijë e 606 euro, KEK-u ka shkurtuar afatin për pjesëmarrje në tender nga 40 ditë, në vetëm 17 ditë.

“Kompania e kishte shkurtuar afatin kohor nën arsyetimin që të përshtatë kohën e realizimit të projektit gjatë periudhës sa ky bllok pritej të jetë jashtë funksionit për shkak të një remonti të paraparë nga një projekt tjetër” – thuhet në gjetjen e ZKA-së.

Sipas raportit, kjo kishte ndodhur për shkak të mosplanifikimit më të mirë të orarit të projekteve që pritej të ndërmerreshin në Termoncentralin “Kosova B”.

“Bordi i drejtorëve duhet të sigurojë që planifikimi i projekteve investive të jetë i bashkërenduar në mënyrë që afatet kohore të përcaktuara me Ligjin e Prokurimit publik të respektohen në tërësi” – thuhet në rekomandimin e ZKA-së për KEK-un.

Në lidhje me këtë të gjetur Korporata Energjetike nuk është pajtuar.

Në komentin që i kanë bërë gjetjes, KEK ka thënë se “Zyra e Prokurimit bën përpjeke të vazhdueshme që të respektojë afatet kohore për shpalljen e tenderëve sipas Ligjit të Prokurimit dhe të udhëzuesit të prokurimit publik”.

“Në rastin konkret, Zyra e Prokurimit ka përdorur e afatin e përshpejtuar për vlerë të madhe, e që me rregullore afati minimal është 15 ditë. Pra afati prej 17 ditë është në përputhje me rregullore të prokurimit publik e që kjo është bërë që të respektojë të gjitha afatet ligjore që përfshihen pas hapjes së tenderit. Afatet e vlerësimit, kërkesave për sqarime gjatë vlerësimit, kërkesave eventuale për rishqyrtim si dhe afateve kohore në rast të ndonjë ankese në OSHP nga OE” – thuhet në komentin e KEK-ut.

Ndërsa, në lidhje me këtë arsyetim të KEK-ut, ZKA-ja ka thënë se nuk është relevant dhe gjetja qëndron.

Sipas ZKA-së, Ligji i Prokurimit Publik nuk e lejon shkurtimin e afateve minimale të përcaktuara me ligj dhe se “kjo situatë nuk kishte të bënte me situata ekstreme emergjente që nuk mund të parashikohen”.

KEK-u ka marrë opinion të kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Auditorët mund të japin tre lloje opinionesh të modifikuara: opinion të kualifikuar, opinion të kundërt dhe mohim të opinionit. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për KEK-un në raportin vjetor për pasqyrat financiare për vitin 2023. Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.

Raporti i vitit 2023 për KEK-un ka rezultuar me katër rekomandime të reja, tri pjesërisht të përsëritura dhe një rekomandim pjesërisht të përsëritur.

Në raportin e vitit 2022, KEK-u kishte marrë 15 rekomandime. Deri në fund të përfundimit të auditimit në fund të vitit 2023, KEK-u kishte zbatuar 12 rekomandime, dy rekomandime ishin pjesërisht të zbatuara dhe një i pazbatuar.

/Kallxo.com