Search

Tregtarët thonë se çmimet e gazit në Evropë do të mbeten të larta për vitet në vijim

27 Korrik, 2022


Tregtarët e burimeve energjetike kanë thënë se presin që çmimet e gazit të vazhdojnë të jenë të larta edhe për vite në vijim.

Ndërsa deri në vitin e kaluar, gazi në Evropë tregtohej me së shumti 40€ për MWh këtë vit çmim ka arritur në rekorde të reja, edhe atëherë kur energjia blihet shumë kohë më parë përmes kontratave afatgjate të furnizimit çmimi i gazit ka arritur në 134 € për megavat orë.

Kjo ka ndikuar edhe në rritjen e çmimit të rrymës në tregje ndërkombëtare në Evropë, pasi gazi është ndër burimet kryesore energjetike në këtë kontinent. Vetëm dje, në tregun HUPx, ku Kosova tregton më së shumti energjinë elektrike, çmimi për një megavat orë të energjisë elektrike në kohë të pikut kishte arritur në 735 euro për megavat orë, raporton Kosovo.Energy.

Deri në 735 euro për megavat çmimi në tregun hungarez, tronditet Ballkani Perëndimor

Lexo më shumë

Çmimi i gazit është dyfishuar këtë qershor, kur Moska vendosi të zvogëlojë sasitë për shkak të, siç kishte thënë, aktiviteteve të rregullta të mirëmbajtes së linjës së gazpërquesit Nord Stream 1.

Por, edhe pse Rusia rikthej furnizimin këtë muaj, frika nga ndalesat e mundshme të furnizimit kanë mbajtur çmimet e gazit në nivele rekorde.

Vincent Demoury nga Grupi Ndërkombëtar i Importuesve të Gazit të Lëngshëm Natyror ka thënë se kriza energjetike në Evropë do të zgjasë për shumë vite, dhe se kontinenti mund të mbesë pa rezerva gazi, nëse dështon nënshkrimi i marrëveshjeve afatgjate të furnizimit me SHBA-të dhe Katarin.

“Nëse jemi me fat, ne edhe mund të kalojmë dimrin e 2022-2023 pa shumë dëme, por dimri i radhës do të jetë ndoshta më i vështiri, ndërsa ai pas tij edhe më i vështirë”, u kishte thënë Demoury gazetarëve në fillim të këtij muaji, raporton Financial Times.