Search

Sllovenia ndanë 5 miliardë euro për të lehtësuar krizën energjetike në vitin 2023

28 Shtator, 2022


Më 2023, Sllovenia do të shpenzojë pothuajse 5 miliardë euro për të mbrojtur amvisëritë, ndërmarrjet, dhe sektorin e bujqësisë nga kriza energjetike, ka thënë kryeministri i këtij vendi Robert Golob, shkruan Balkan Green Energy News.

Ai ka thënë se përmes këtyre masave, Sllovenia synon të lehtësojë shkallën e inflacionit si dhe të bëjë ekonominë kombëtare më konkurruese.

Ai ka thënë se 5 miliardët do të shpenzohen në vitin në vijim, atëherë kur kriza energjetike do të jetë edhe më e përshkallëzuar se që është tani.

Brenda 5 miliardëve, 1.5 miliardë euro do të ndahen për sektorin e biznesit ndërsa 1.2 për amvisëritë, ndërsa nga kjo pako do të përfitojë edhe sektori i bujqësisë, raporton Kosovo.Energy.

‘Ne do të mbrojmë vendet e punës dhe njerëzit. Të gjithë do të përfitojnë’, ka thënë kryeministri i Sllovenisë gjatë mbledhjes së kuvendit.

Ai ka thënë se vendi i tij tashmë ka filluar të bëjë ndryshimet ligjore, të cilat do t’i mundësonin ndërmarrjeve shtetërore të marrin përgjegjësinë e furnizimit për të gjithë konsumatorët me çmime të rregulluara.

Në fjalimin e tij, kryeministri Golub ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të bëjë ndryshimet në rregullat për tregjet energjetike.

Ai ka thënë se çmimet aktuale të energjisë elektrike dhe gazit natyror nuk kanë fare të bëjnë me kostot e prodhimit, ndërsa ka paralajmëruar për spekulime financiare në tregje në të ardhmën, si rrjedhojë e mungesës së likuiditetit.

Në fund, Golob ka thënë se Sllovenia së shpejti do të shtetëzojë disa nga ndërmarrjet energjetike në këtë vend, ndërsa mediat kanë filluar spekulimet se tashmë kanë filluar përpjekjet për shtetëzimin e furnizuesit të gazit Geoplin, ku Petrol është ndër pronarët kryesorë.