Përfituesit e subvencioneve për efiçiencë tani mund të nënshkruajnë kontratat nga shtëpia, nënshkruhet marrëveshja
21 Gusht, 2024
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka nënshkruar një kontratë të rëndësishme bashkëpunimi me Postën e Kosovës, duke shënuar një hap të ri në misionin për të përmirësuar efiçiencën e energjisë në vend.
Kjo marrëveshje, e nënshkruar nga Drejtori Menaxhues i FKEE-së, Driton Hetemi, dhe Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, sjell një lehtësi të madhe për qytetarët. Tani ata do të mund të nënshkruajnë kontratat e subvencionimit me FKEE nga komoditeti i shtëpive të tyre, pa qenë nevoja të vizitojnë zyrat e FKEE-së.
Megjithatë, për ata që kërkojnë këshilla ose udhëzime për masat e efiçiencës së energjisë, zyrat e FKEE-së në Prishtinë dhe në Mitrovicën e Veriut janë gjithmonë të hapura për të ndihmuar.