Bullgaria synon pozitën e eksportuesit të energjisë, priten 17,5 GW kapacitete të reja deri në 2033
20 Gusht, 2024
Investitorë të ndryshëm po planifikojnë të ndërtojnë projekte të prodhimit të rrymës nga burime të ripërtëritshme të energjisë me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 19,000 MW deri më 2033 në Bullgari, thuhet në të dhënat e prezantuara nga operatori i sistemit të transmetimit të këtij vendi.
Objektet e energjisë ripërtëritshme, përfshirë ato që prodhojnë energji nga dielli, era dhe burimet ujore, përbëjnë 90% të kapacitetit të planifikuar, ose 17,500 MW.
Shumica, ose 85% e projekteve të energjisë ripërtëritshme, janë për centrale diellore.
Bullgaria është tashmë shtëpia e projektit më të madh fotovoltaik në Ballkan dhe Evropën Lindore. Vetëm këtë vit, rreth 1,500 MW kapacitete të reja diellore pritet të lidhen me rrjetin.
Operatori i rrjetit të transmisionit theksoi se parashikimet nuk përfshijnë centrale të reja bërthamore, ndërsa ka theksuar se ky është një proces kompleks që kërkon kohë të gjatë për ndërtim.
Aktualisht, Bullgaria po përgatitet të ndërtojë një central të ri bërthamor në veriperëndim të vendit.
Operatori shtoi se vendi do të shndërrohet nga një eksportues në një importues të energjisë elektrike në vitet e ardhshme.
Një nga arsyet kryesore për nxitjen e prodhimit nga burimet e ripërtëritshme është edhe rënia e prodhimit të energjisë nga termocentralet me qymyr, për shkak të kostos së lartë të emetimit të CO2.
Pa mbështetje financiare, termocentralet me qymyr do të ndalojnë prodhimin e energjisë elektrike, kanë thënë nga operatori i sistemit të transmisionit.
Në qershor, Bullgaria shënoi prodhimin më të ulët të energjisë elektrike që nga viti 2019, të nxitur nga rënia e prodhimit nga termocentralet me qymyr, që ishte 19% më i ulët krahasuar me vitin paraprak.
Si rezultat, ContourGlobal u detyrua të largojë shumicën e punonjësve nga centrali Maritsa East 3, ndërsa Maritsa East 2, në pronësi të shtetit, mori një mbështetje njëvjeçare nga qeveria.
Ndryshe, ContourGlobal ishte përzgjedhur për të ndërtuar termocentralin e ri me qymyr në Kosovë.