Gjermania shtoi 1.4 GW kapacitete diellore në korrik, ka 29,645 turbina të erës në operim
20 Gusht, 2024
Gjermania instaloi 1.4 GW kapacitete të reja diellore në korrik, duke e çuar totalin e kapaciteve prodhuese të rrymës nga burimet diellore në 92.2 GW në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave nga Agjencia Federale gjermane të Rrjetit, gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2024, u ndërtuan 9.34 GW kapacitete të reja diellore. Bavaria kryesoi me 2.21 GW të shtuara, e ndjekur nga Baden-Wuerttemberg me 1.27 GW dhe North Rhine-Westphalia me 1.26 GW, raporton Kosovo.Energy.
Nga kapacitetet e instaluara në korrik, 266.3 MW ishin pa subvencione, ku përfshiheshin 100.1 MW kapacitete të vendosura në sipërfaqe të tokës dhe 166 MW në çati të shtëpive. Ndërkohë, përmes subvencioneve janë shtuar 400.6 MW kapacitete në sipërfaqe të tokës, dhe 766.8 MW në çati.
Në të njëjtën kohë, kapacitetet e reja të energjisë nga era në tokë qëndrojnë në nivel të ngjashëm me të dhënat e muajit të kaluar. Në korrik janë shtuar 184.6 MW kapacitete të prodhimit të rrymës nga era, ndërsa në qershor, 186.5 MW, përcjell Kosovo.Energy.
Kapacitetet e përgjithshme të prodhimit të energjisë nga era përmes turbinave të vendosura në sipërfaqe të tokës në gjithë vendin shënuan 62.1 GW, me 29,645 turbina në operim.
Në sektorin e energjisë nga era në det, u shtuan 170 MW kapacitete prodhimi në korrik, krahasuar me 155 MW në qershor dhe 222.3 MW në maj.
/Kosovo.Energy