Search

Së shpejti Komunat fillojnë hartimin e planeve komunale për klimë dhe energji

09 Qershor, 2021


Komunat e Kosovës së shpejti fillojnë hartimin e planeve komunale për klimë dhe energji. Kështu u tha pas takimit të Asociacionit të Komuna të Kosovës në kuadër të edicionit të katërt të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë.

Në këtë takim ku kanë marrë Menaxherët Komunalë për Energji janë diskutuar për sukseset e Komunave në implementimin e Planeve Komunale të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë (PKVEE), aplikimet në Fondin e Efiçiencës së Energjisë, praktikat e mira të Komunave në fushën e EE si dhe harmonizimin e planeve të ardhshme komunale me kërkesat dhe obligimet që do të dalin nga Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë.

Në këtë takim, Menaxherët Komunalë për Energji u informuan edhe me projektin e nisur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, ku qëllimi kryesor i Projektit është të mbështesë komunat në ngritjen e kapaciteteve në zhvillimin e Planeve Komunale për Energji dhe Klimë (PKEK).

Vlen të ceket se me këto plane, Kosova është e para në rajon ku komunat hartojnë Planet Komunale për Energji dhe Klimë.

Një raport të monitorimit të komunave në zbatimin e Planeve Komunale për Efiçiencë të Energjisë u ka paraqitur z.Arsim Kuliqi – Kryeshef i Agjencisë për Efiçiencë të Energjisë.

Drejtori i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë z.Admir Shala foli para zyrtarëve komunalë lidhur me aplikimet e projekteve komunale në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe implementimin e tyre.

Për praktikat e mira të projekteve komunale të zbatuara në fushën e EE foli znj.Blinera Bërbatovci nga Komuna e Obiliqit.

Një përmbledhje të aktiviteteve të GIZ në fushën e EE për vitin 2020 dhe planet për 2021 e paraqiti z.Avni Sfishta – Udhëheqës i Projektit të Kosovës në GIZ.

Z.Arsim Osmani nga Asociacioni i Komunave dhe Udhëheqës i projektit informoi komunat për projektin e ri të AKK-së me GIZ.