Search

Publikohet portali dhe aplikacioni për cilësinë e ajrit

23 Shkurt, 2021


Kosova ka krijuar një sistem modern dhe të besueshëm të monitorimit dhe komunikimit të cilësisë së ajrit. Përmes këtij sistemi, të gjithë të interesuarit mund të informohen për cilësinë e ajrit edhe përmes aplikacionit ne telefona mobil.

Nën mbështetjen e Fondacionit të Mileniumit të Kosovës dhe Millennium Challenge Corporation – MCC, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) kanë lansuar portalin zyrtar të cilësisë së ajrit, aplikacionin mobil dhe produkte tjera shoqëruese, me qëllim të komunikimit dhe vizualizimit të cilësisë së ajrit në një gjuhë sa më të thjeshtë, të kuptueshme, të saktë dhe lehtë të qasshme në çdo kohë, vend dhe nga çdo qytetar.

Portali i Cilësisë së Ajrit Kosova (PCA) është shërbim publik që ofron informacion aktual të cilësisë së ajrit nga rrjeti i 12 stacioneve të monitorimit. Gjithashtu ofron parashikim 3-ditor të cilësisë së parashikuar të ajrit në bazë të modelimit matematikor.

I dizajnuar për ta informuar qeverinë dhe publikun e gjerë të Kosovës, PCA mund të përdoret edhe nga specialistë mjedisorë, shkencëtarë, shoqëria civile dhe akademia.

PCA përfshinë të dhëna nga monitorimi, të cilat mund të shkarkohen në formatin excel apo si Vlerë e Ndarë me Presje (CSV) për analiza të mëtejshme.

Në portal dhe aplikacion, buzëqeshjet me bazë ngjyrash të paraqitura në hartën e PCA-së tregojnë cilësinë aktuale të ajrit bazuar në matjet në stacionet e monitorimit të Kosovës.

Duke klikuar në stacionet e monitorimit në PCA do të shfaqen informacionet mbi shëndetin përqendrimet e ndotësve: lëndët e grimcave (PM10 dhe PM2.5), dioksidi i azotit (NO2), dioksidi i sulfurit (SO2), monoksidi i karbonit (CO), ozoni (O3) dhe kushtet themelore të motit, si dhe niveli i ICA.

Njihuni me simbolet shtetërore të komunikimit të ajrit në Kosovë, vizitoni keto platforma dhe shkarkoni aplikacionin per informim në vegëzat në vijim:

airqualitykosova.rks-gov.net
ihmk-rks.net/ajri
ajri.niph-rks.org