Search

Protestuesit në Beograd bllokojnë stacionin hekurudhor, kundërshtojnë minierat e litiumit

12 Gusht, 2024


Protesta e madhe kundër minierave të litiumit është mbajtur në Beograd dhe sipas të dhënave të fundit në rrugë kanë dalë gati 40 mijë serbë.

Në orën 19:00, serbët u mblodhën në qendër të Beogradit me sloganin “Nuk do të ketë miniera” dhe pas fjalimit të organizatorëve, të ndarë në dy kolona janë drejtuar drejt Urës së Gazelës e më pas drejt stacioneve hekurudhore Prokop dhe Novi Beograd.

Një stacion hekurudhor aktualisht është i bllokuar, ndërsa siç raportojnë mediat serbe, dy trena janë ndalur.

Në rrugë dëgjohen thirrjet “Nuk do të gërmoni”, ndërsa qytetarët mbajnë flamur të madh të Serbisë.

Bllokada i është njoftuar Hekurudhave të Serbisë, ndërsa për momentin nuk dihet se ku do të lëvizë kolona.

Bllokada janë paralajmëruar edhe për javën e ardhshme, raporton “Klix”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se në bazë të informacioneve nga Rusia në këtë protestë do të ketë trazira, edhe pse organizatorët kanë paralajmëruar “tubim paqësor”.

Organizatorët e protestës, prej organizatave për mbrojtje të ambientit, i kanë ftuar qytetarët në atë që e kanë konsideruar tubim paqësor.

Ata besojnë se nxjerrja e litiumit do të shkaktonte pasoja të pakthyeshme për ambientin.

Vala e re e protestave vjen pas vendimit të Qeverisë së Serbisë, të 16 korrikut, për të çuar përpara projektin e ndërtimit të minierës së litiumit në luginën Jadar, pasi ai ishte pezulluar më 2022.

Më 19 korrik, Qeveria e ka nënshkruar në Beograd një “Memoradum për lëndët e para kritike” me Bashkimin Evropian, i cili parasheh një zinxhir të plotë prodhimi – prej minierës së litiumit në Jadar, deri te prodhimi i baterive për makina elektrike.